Ministria e Bjuqësisë e interesuar që të rritet cilësia e materialit fidanor për pemë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar sot drejtuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Materialit Fidanor për pemë drufrutore dhe pemë të imëta, “PlantKosova”, me të cilët ka biseduar mundësitë e zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori.

Lajme

28/04/2015 16:28

Ministri Krasniqi i informoi ata se MBPZHR-ja do të vazhdoje të subvencionojë prodhuesit e materilait fidanor, por edhe të gjejë mundësi të ndryshme të bashkëpunimit në mënyrë që ata si prodhues të mos dëmtohen, dhe po ashtu edhe kultivuesit e pemëve drufrutore dhe pemëve të imëta të kenë mundesi për furnizim me fidane cilësore.

Me theks të veçantë, drejtuesit e shoqatës shfaqen shqetësime se nga individë të ndryshëm po kontrabandohet material fidanor i dëmshëm dhe i pasigurt, e që kryesisht raportohet se vjen nga Serbia. Ministri dhe drejtuesit e kësaj shoqate vlerësuan se duhet një angazhim më i madh edhe i institucioneve tjera që të ndihmojnë në ndalimin dhe parandalimin e kësaj dukurie, dhe për këtë do të kërkohet mbështetje nga institucionet kompetente.

Ministri Krasniqi kërkoi nga drejtuesit e shoqatës që bashkë edhe me departamentet përkatëse në MBPZHR-ja të punojnë në gjetjen e një modeli të përshtatshëm të certifikimit të materialit fidanor të prodhuar në Kosovë, pra që të jetë plotësisht i sigurt dhe konform standardeve ndërkombëtare. Ministri tha se MBPZHR-ja është e interesuar që këta prodhues të fuqizohen por dhe anasjelltas kultivuesit e këtyre pemëve të kenë material fidanor vendor por që është edhe cilësor sipas standardeve të kërkuara. (lajmi.net)