Ministri Zharku: Linja hekurudhore Beograd-Mitrovicë është ilegale

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka thënë se promovimi i linjës Beograd-Mitrovicë, është ilegale. Kjo linjë është paralajmëruar se do të përurohet nesër, ndërsa autoritetet kosovare janë duke e konsideruar të jashtëligjshme.

Lajme

13/01/2017 14:45

Ministri Zharku ka thënë për lajmi.net se institucioni që drejton bënë politika, por përurimin e kësaj linje që është paralajmëruar për nesër e konsideron të jashtëligjshme.

“Ne i bëjmë politikat e hekurudhave, por për çdo çështje është Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave. Natyrisht që është ilegale, por edhe institucioni përgjegjës ARH e ka konsideruar ilegal. E përkrahim deklaratën e ARH-së dhe qëndrimi im është në përputhje në qëndrimin e ARH-së”, ka thënë Zharku për lajmi.net.

Ndryshe, e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka paralajmëruar se nesër do ta bëjnë promovimin e linjës së trenit Beograd-Mitrovicë. /Lajmi.net/