Miliarderi spanjoll ‘rrëzon’ Bill Gates duke u bërë personi më i pasur në botë

Tani dikush tjetër është personi më i pasur në botë.

Bota

23/10/2015 16:55

Spanjolli, Amancio Ortega, ka kaluar themeluesin e Microsoft – Bill Gates – për nga pasuria për herë të parë, duke u bërë personi më i pasur në botë.

Sipas Forbes, multi-miliarderi themelues i veshjeve evropiane ‘Zara’ sapo ka kaluar Bill Gates për t’u bërë kështu personi më i pasur në planet, me një pasuri prej 79.8 miliardë dollarë.

Ortega nuk është një emër shumë i njohur për botën siç është Gates, por ai vitet e fundit ka pasur rritje në pasurinë e tij pasi që kompania e tij ka vazhduar të ketë rezultate të mira dhe të zgjerohet.

Ndryshe nga shumë prej njerëzve më të pasur në botë, Ortega ka një histori interesante në grumbullimin e pasurisë nga rrobat. I lindur më 1936 gjatë luftës civile spanjolle, babai i Ortegas fitonte vetëm 300 pesetas në muaj, një rrogë mjaft e ulët.

Biografi i Ortegas i përshkroi kujtimet e tij nga fëmijëria kur familja e tij nuk mund të përballonte as blerjen e ushqimit të mjaftueshëm. Ai braktisi shkollën në adoleshencë të hershme, duke punuar si një dërgues në një dyqan.

Në moshën 40 vjeçare ai themeloi Zara-n, kompaninë e veshjeve me rritje shumë të shpejtë – që së pari ishte rritur në Spanjë, më pas në Portugali dhe Francë, dhe më pas në Londër. Tani kjo kompani është në mbarë globin.

Sipas Forbes, pasuria e Ortegas u rrit për 5.3% (4 miliardë dollarë), gjatë 24 orëve të fundit. Kjo për shkak të një rritje në aksionet e Inditex, kompania ‘mëmë’ që zotëron Zara-n.

Në 10 vitet e fundit, vlera e tregut të Inditex është rritur me rreth 570%, që është nxitësi kryesor për rritjen e pasurisë së Ortegas. (lajmi.net)