Merkel mesazh Serbisë, Gjermania e ka njohur Kosovën dhe s’ka kthim mbrapa

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përmes një video mesazhi, ka bërë të ditur se do të presë në vizitë në Berlin, kryeministrin e ri të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ajo aty ka theksuar se Serbia ka perspektivë evropiane, por duhet vazhduar rrugën praktike të përmirësimit të raporteve me Prishtinën, pasi Gjermania e ka njohur Kosovën, dhe nuk ka kthim mbrapa në këtë drejtim. 

Lajme

07/06/2014 17:59

Në videon e postuar në faqen e internetit të qeverisë gjermane, Merkel tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë evropiane, dhe vlerësoi veçanërisht përparimin që Serbia ka bërë në marrëdhëniet në raport me Kosovën. 

Merkel rikujtoi se me kryeministrin serb është dëgjuar në telefon në kohën e përmbytjeve, duke shtuar se Gjermania ka ofruar dhe siguruar mbështetje praktike. 

Ajo thekson se ende ka dallime në qëndrime, por se tensionet produktive sjellin ndryshime. Sipas saj, sikur dikush ta pyeste para dy-tri vitesh se Serbia do të kthehet në këtë rrugë në raport me Kosovën, ajo do të dyshonte në këtë. 

Por, Merkel paralajmëron Vucicin se Gjermania e ka njohur Kosovën, duke shprehur besimin se “Serbia do të ecë rrugëve praktike të përmirësimit të raporteve me Kosovën”.