Menaxheri grek i Ferronikelit ankohet në shtetin e tij

Blerësve të ndërmarrjes Ferronikeli para 8 vjetësh nuk u kishte shkuar kurrë mendja se problemi politik i mosnjohjes së Kosovës do të shkaktonte pengesa të mëdha në biznesin e tyre. Në mesin e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën bën pjesë edhe Greqia. 

Lajme

01/09/2014 23:28

Menaxheri i kësaj fabrike është grek dhe problemet më të mëdha ai i ka pikërisht me atdheun e tij. Menaxheri Joanis Mutafis thotë se heqja e këtyre barrierave do t’i mundësonte kompanisë të kishte më shumë suksese në biznes, raporton KTV.

Ai ka deklaruar të kenë një bashkëpunim të mirë me autoritetet e vendit dhe t’u ketë ndihmuar shpesh atyre për nxitje të investimeve, pavarësisht se në këtë proces ka mundur të bëhej më shumë.

Kjo fabrikë, në të cilën punojnë 800 punëtorë, pa i futur edhe ata të kompanive nënkontraktuese, pos që është eksportuesi më i madh në Kosovë, gjithashtu i prin listës së shpenzuesve më të mëdhenj të energjisë elektrike.

Në Agjencinë për Promovimin e Investimeve thonë se kohë të fundit në vendin tonë kanë shprehur interesim për të investuar edhe disa kompani nga Kina, për shkak të marrëveshjes preferenciale që ka Kosova me BE-në.

Mirëpo, kritik ndaj qasjes që kanë institucionet e vendit me investitorët janë përfaqësuesit e bizneseve, raporton KTV.