Me marrëveshje për tregun e punës – “O sa mirë me qenë shqiptar i punësuar” (Video)

Dy ministritë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo e Republikës së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për tregun e punës.

Lajme

06/03/2015 12:11

Ideja është që qytetarët tanë, të Kosovës dhe Shqipërisë, të punojnë pa burokraci aty ku gjejnë vend pune. Një treg i hapur, që nënkupton që një qytetar nga Zveçani të punojë në Gjirokastër dhe anasjelltas.

Kështu tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili e cilësoi marrëveshjen pa retorikë dhe diçka konkrete, e cila përpos që mundëson një punësim të tillë, ia siguron edhe shtetasit nga Shqipëria që punon në Kosovë të marr pension, njëjtë sikurse edhe shtetasit të Kosovës që punon në Shqipëri.

“Ishte një bashkëpunim në funksion të tregut të punës. Gjithashtu edhe marrëveshjeve të integrimit të trajnimeve në fushën e aftësimeve profesionale dhe integrimit të njohjes së përvojës së punës përkatësisht mes trustit dhe shërbimit shqiptar të pensioneve”, tha ministri Abrashi.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshje ka qenë edhe bërja më unike e fushës së trajnimeve profesionale në zonat kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila është në funksion të ngritjes së kapaciteteve të qytetarëve të cilët janë të interesuar për këto trajnime.

“Përfitojnë qytetarët e zonës së Kukësit, Hasit e Tropojës të cilët pa pagesë, do t’i shfrytëzojnë qendrat profesionale të Kosovës në Prizren, Gjakovë dhe Pejë, ku do të marrin njohuri dhe aftësi profesionale për nevojat e tregut të Shqipërisë”, tha Abrashi.

Edhe homologu i tij nga Shqipëria, Erion Veliaj tha se me aq informacion që posedojnë, lidhur me llojshmërinë dhe dominimin e profesioneve në të dyja vendet, me këtë marrëveshje po marrin vendimin e duhur, ndërsa theksoi se të dy vendet duhet t’i largohen retorikave të nacionalizmit, siç e quajti ai “turbofolk”.

“Përtej që ‘o sa mirë me qenë shqiptarë’, është ‘o sa mirë me qenë shqiptar i punësuar’, ose ‘o sa mirë me qenë me pension të lartë’, ‘o sa mirë me qenë shqiptar i aftë për tregun e punës’. Dhe besoj se e kemi kuptuar që të dy që duhet të shkojmë në një nivel tjetër, praktikë, konkret për gjërat që i shqetësojnë njerëzit”.

“Lajmi që japim sot e që do ta finalizojmë në mbledhjen e Qeverisë, për këtë marrëveshje, është një lajm i mirë sidomos për të rinjtë tanë, për ata që janë në kërkim të një vendi të punës. Ku nuk gjykoj se është mënyra e duhur për ta lënë Shqipërinë ose Kosovën, por, për të fuqizuar hapësirat që kemi brenda vendit, në tregun e punës”, tha Veliaj.

Siç shpjegoi ai, në Shqipëri e në Kosovë prej dhjetë viteve të fundit ka pasur një histeri të universiteteve, ku krejt po bëhen filozofë e sociologë për të shpjeguar hallet, por jo për të zgjidhur ndonjë hall, “andaj dhe më vjen mirë që jemi rikthyer te fokusi i arsimit profesional”, tha ai.

Veliaj pohoi se fitues të marrëveshjes (pjesës për arsimin) janë kryesisht fitues pjesa e Shqipërisë, ku siç theksoi ai, në zonat e veriut atje ka mungesë të infrastrukturës për arsimin personal. “Kjo është arsyeja pse e çmoj shumë bujarinë e Qeverisë së Kosovës”, nënvizoi ministri Veliaj.

YouTube player