lajmi.net

MASHT-it dhe AMRKS, bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në trafik

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), së bashku me Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit (AMRKS), kanë bërë thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.

Lajme

04/09/2018 15:52

Kjo pasi gjatë periudhës janar-korrik 2018, në Kosovë kanë ndodhur gjithsej 3.434 aksidente me lëndime duke mbetur të lënduar 6833 persona, ndërsa 67 qytetarë kanë vdekur si pasojë e këtyre aksidenteve në rrugë.

Në një njoftim për media MASHT-i dhe AMRKS, thonë se kujdesi duhet të shtohet edhe më shumë sidomos tani kur edhe ka filluar viti shkollor.

“Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë në trafik, aksidentet e kësaj vere, por edhe fillimin e vitit shkollor ku trafiku bëhet më i dendur dhe rrjedhimisht edhe më i pa sigurt për fëmijët, sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së bashku me Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli, Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit AMRKS, ju bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë. Kjo thirrje për rritjen e sigurisë në rrugë, ju drejtohet të gjithë ngasësve të mjeteve motorike që të janë vigjilentë dhe të veprojnë duke respektuar në plotni rregullat dhe shenjat e trafikut. Në mjedise shkollash, të shtohet kujdesi në mënyrë që të rritet siguria për fëmijët gjatë rrugës nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu thuhet se nga fëmijët kërkohet kujdes dhe vëmendje e shtuar gjatë kalimit të rrugës dhe lëvizjes së tyre në grupe, duke dhënë kështu edhe udhëzime për prindër e mësues.

“Prindërit dhe mësuesit duhet të sigurohen se fëmijët e tyre i njohin rregullat e lëvizjes të sigurt në rrugë dhe të sigurohen se ata i njohin shenjat e trafikut që u përkasin atyre. Shoqërimi i fëmijëve nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjellas duhet të bëhet përderisa prindërit të sigurohen se fëmijët e njohin mjaftueshëm rrugën dhe i praktikojnë në tërësi udhëzimet duke lëvizur të sigurt. Prindërit dhe mësuesit duhet t’i udhëzojnë fëmijët që të përdorin të njëjtën rrugë çdo ditë dhe të shmangin shkurtesat dhe kryqëzimet e panevojshme, parkingjet, etj. Fëmijët duhet të kanë veshje komode për të lëvizur lirshëm (jo veshje që kufizojnë lëvizjen e tyre). Mundësisht fëmijëve të ju vendosen në çanta ose në veshje të jashtme të trupit shirita fluoreshentë (shndritshme) për tu vërejtur më lehtë nga pjesëmarrësit tjerë në trafik. Udhëzoni dhe mësoni fëmijët që mos të lëvizin në rrugë ndërmjet automjeteve të parkuara, vend punishteve ose pengesave tjera në rrugë. Udhëzohen prindërit që të marrin nga mësuesit ose kujdestarët orarin e saktë të fillimit dhe mbarimit të mësimit dhe për çdo ditë të monitorojnë kohën dhe sigurinë e lëvizjes së fëmijëve. Gjithmonë udhëzoni dhe mësoni fëmijët se gjatë kalimit të rrugës patjetër duhet shikuar në të dyja anët e rrugës para se të kalojnë në anën tjetër të rrugës. Të mos kalojnë rrugën edhe kur në semafor kanë shenjën e ndezur për kalim të lirë, pa i shikuar sërish të dy anët e rrugës dhe pasi të sigurohen atëherë të kalojnë në anën tjetër të rrugës. Fëmijët duhet të udhëzohen dhe mësohen të mos ndalojnë rrugës dhe nëse ata ndihen të pasigurt të kërkojnë ndihmë nga të rriturit. Prindërit të sigurohen që transportimi i fëmijëve te tyre, nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas të bëhet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt nga kombibusët e licencuar dhe mjetet tjera motorike. Fare në fund, luten të gjithë prindërit që të mos bllokojnë me automjetet e tyre hyrje-daljet e shkollave kur ata shkojnë për të shoqëruar fëmijët. Udhëzohen prindërit që automjetet e tyre t’i parkojnë më larg shkollës dhe të ecin deri te shkolla, në të kundërtën përveç që vazhdimisht bllokojnë rrugët në afërsi të shkollave ata pa dashje rrezikojnë edhe sigurinë e nxënësve”, thuhet tutje në njoftimin e MASHT-it dhe AMRKS.

LM