Maqedonia ngufatet nga ajri i ndotur, autoritetet aktivizojnë masat anti-ndotje

Shkupi po cilësohet si qyteti me ajrin më të ndotur në botë.

Lajme

20/01/2019 18:24

Prilepi mbrëmë po ngufatej nga ajri i ndotur.

Në aplikacionin matës “MojVozduh” ndotja shënonte  1438 grimca PM për metër kub.

Ajri nuk ishte më mirë as në Strumicë e Shkup.

E sipas matjes së AirVisual, dy ditët e fundit Shkupi ishte qyteti më i ndotur në botë, duke lënë pas qytetet si Nju Delhin dhe Dakën.

Qyteti i Shkupit sot doli me masa urgjente kundër ndotjes. Këto masa parashohin transport publik falas, dyfishim të çmimit të parkingjeve publike, ndalesë e aktiviteteve ndërtimore dhe përforcim të mbikëqyrjes së inspektorëve. Këto masa do të vlejnë deri në uljen e ndotjes në vend.

“Ju bëjmë thirrje të gjithëve kryetarëve të komunave përkatëse, të ndalin aktivitetet ndërtimore që janë nën ingirencat e tyre. Çmimi i parkingjeve që janë nën Qytetit e Shkupit, nga ky moment do të dyfishohet dhe kjo do të zgjasë deri sa masat urgjente do të ndalohen. Qytet i Shkupit në periudhën që kaloi ka bërë inspektim intensiv nëpër instalacionet që janë nën kompetenca të qytetit. Do të vazhdojmë me këtë intensitet edhe në periudhën në vazhdim”, tha Valon Salihu, zëdhënës i qytetit të Shkupit.

Tradita e paraqitjes së programit vjetor kundër ndotjes nuk mungoi edhe këtë vit. Qeveria para disa ditësh doli me masa për parandalimin e ndotjes.

“Unë sot më konkretisht do të fokusohem në Programin për vitin 2019, në pikat prioritet. Plani do ta ketë të njëjtën madhësi, siç e ka qenë i miratuar nga Qeveria. Po flas për planin, jo për programin”, u shpreh Jani Makraduli, zëvendësministër i Ekologjisë.

Plane dhe programe të tilla paraqiten tashmë disa vjet me radhë edhe nga pushteti i tanishëm por edhe nga i kaluari.

VMRO DPMNE tani që është në opozitë, tha se pushteti po tregohet i paaftë për ta zgjidhur çështjen e ndotjes së ajrit.

“Është një katastrofë ekologjike që është e barabartë me gjenocidin, madje edhe masat e shpallura në ana e tyre nuk janë masa që do të kontribuojnë në reduktimin e ndotjes në planin afatgjatë, por është një masë që është vetëm një lloj shuarjeje e shpejtë e zjarrit, thënë kushtimisht”, tha Naum Stoilkovski  nga VMRO-DMNE.

Ndryshe autoritetet qeveritare kanë dalë me rekomandime për mbrojtjen nga ndotja enorme që ka kapluar vendin.

Nga Ministria për mjedis jetësor dhe ajo e shëndetësisë rekomandojnë që të gjithë punëdhënësit, të përjashtojnë  nga detyrimet gratë shtatzëna, njerëzit më të vjetër se 60 vjet, dhe personat me astmë kronike. Rekomandohet për të gjitha subjektet juridike, që të riorganizojnë oraret e punës dhe personat që punojnë jashtë, të punojnë nga ora 11.00 deri në 17.00.

E ndërkohë për shkak ajrit të ndotur edhe Procesi mësimorë për gjysmëvjetorin e dytë shkollor është prolonguar për 2 dytë. /rtv21