Majko: “Lufta ime” për Kosovën

Pandeli Majko ishte vetëm 30 vjeç kur si kryeministër i Shqipërisë iu desh të menaxhonte një nga situatat më të vështira që përballej Shqipëria, të mbështeste luftën e Kosovës, por edhe pritjen e qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga makineria e Milosheviçit. 

Lajme

17/04/2014 17:45

Sot, 15 vjet më pas, kryeministri i luftës tregon për “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel detaje të atyre ditëve të vitit 1999.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, kujton ditën kur mori vesh për shqiptarët e Kosovës që po dëboheshin nga makineria serbe si hakmarrje kundër bombardimeve të NATO-s. Ai thotë se asokohe ishte me presidentin mejdani në Kukës, edhe pse, në anën tjetër ishte e vështirë që edhe Shqipëria të menaxhohej për shkak të problemeve që kishin ndodhur atje në vitet ’97 dhe ’98.

“Ishim me ish-presidentin Mejdani në Kukës, pasi ishin dhënë disa sinjale për largimin e popullsisë pranë kufirit dhe jemi takuar me një grup refugjatësh, rreth 30-40 veta, kur jemi kthyer, diku nga mesi i rrugës, na marrin në telefon dhe aty kuptoj që vetëm gjatë orëve që ne ishim shkëputur kishin kaluar kufirin 35 mijë vetat e parë. 

“Do ta menaxhonim, ishte një histori ose do të dështonim ne ose ata, na mbajtën nervat ne dhe fituam. Është e paktë të thuash se ne kaluam nivelin e fjalës ‘mrekulli’. Dëgjova shpesh sot që flitej për një shifër 500 mijë, por në terma realë në Shqipëri kanë qëndruar mbi 700 mijë shtetas Kosovarë. Kur ky numër po shkonte në 800 mijë, ne bëmë deklaratën që Shqipëria është e gatshme edhe për 1 milion. Nuk mund ta bënim këtë 1 milionëshin duke pasur 500 mijë, pastaj ka edhe dokumente të tjera, sidomos të momentit militar, i kontrolluar nga NATO dhe Pentagoni”.

Ish-kryeministri Majko, tani njëri nga politikanët që e viziton Kosovën më shpesh, thotë se edhe për shkak të angazhimit të shqiptarëve nga dy qeveritë për t’i bashkuar të gjitha drejtimet, elitat e vendeve funksionojnë ende të ndara dhe se ende funksionon një mentalitet ku është i pranishëm kufiri Jugosllavisë.

 Tregon se kishin filluar të njihnin detaje për Kosovën vetëm pas lëvizjes së studentëve të vitit 1981 në Kosovë.

E kam pak shqetësim dhe e kam shprehur edhe sot dhe them se e kemi në kokë ende kufirin e Jugosllavisë. Elitat funksionojnë ende të ndara pasi kanë bërë jetë të ndryshme universitare në një kohë që janë në konflikt me një gjeneratë të re që nuk duan të pyesin për mënyrën e sjelljes së tyre. Ne duhet të fillojmë dhe të mendojmë në mënyrë të re, duke u nisur që nga vetja”.

“Ne filluam të njihnim detaje të Kosovës kur filloi lëvizja e studentëve në Kosovë në vitin 1981. Në atë kohë kam qenë në gjimnaz dhe na kanë shtuar fletë në librin e Gjeografisë, për të mësuar se çfarë ishte Kosova dhe unë ne kemi diskutuar me njëri tjetrin të habitur për praninë e shqiptarëve atje”.

Në pyetjen se cila ka qenë dita më e vështirë e atyre javëve shumë të ngarkuara për Pandeli Majkon si kryeministër, ai thotë se nuk ka qenë nata e parë, por një tjetër moment.

\”Nuk ka qenë nata e parë, por një tjetër moment kur pati një luhatje për të bërë një ndalim bombardimesh. Pasi një pjesë europianëve të cilët thoshin të ndalojmë bombardimet dhe të fillojmë negociatat sepse ka një reflektim nga Milosheviçi, i cili kërkonte negociata, me një plan të vetin. Ai mendonte se pasi kishte larguar popullsinë të fillonte negociatat, të ndalonin bombardimet dhe e dinte se ato nuk do të fillonin më, sepse do të gjente një vend anëtar të NATO-s, që me votën kundër, ta bllokonte këtë gjë”, tha Majko, shkruan ‘top-channel’.