Lipsius: Gjermania kishte bashkëpunim të mirë me PDK-në

Publicisti gjerman, Stephan Lipsius, thotë se Qeveria Federale Gjermane ka pasur bashkëpunim të ngushtë me të gjitha qeveritë e Kosovës. Zgjedhjet e fillimqershorit i vlerëson si të rëndësishme për vendin.

 

Lajme

31/05/2014 10:50

Publicisti dhe politologu gjerman, Stepahn Lipsius thotë se zgjedhjet nacionale të 8 qershorit janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

Sipas tij, po shihet një  organizim më i mirë i fushatës zgjedhore nga ana e partive politike.

Në një intervistë për Epoka e Re, Lipsius ka thënë se Kosovës po i mungon alternativa klasike socialdemokratike.

Në këtë kontekst, ai është shprehur se është për keqardhje që projekti i social-demokratizimit i PDK-së, i filluar disa vite më parë, së fundi ka marrë orientim djathtist. “Parti të krahut të djathtë kemi mjaft në Kosovë”, është shprehur ai.

Politologu gjerman Lipsius ka thënë se për qeverinë e ardhshme është e rëndësishme të bëhet lidhja e ekonomisë me politikën sociale.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ai ka thënë se Qeveria gjermane vazhdimisht i ka ndjekur me vëmendje të madhe zhvillimet politike në Kosovë dhe në disa aspekte ka dhënë mbështetje të rëndësishme.

I pyetur për deklarimet e fundit të zyrtarëve të LDK-së, se “vetëm kjo parti mund t’i hapë dyert e Berlinit” dhe se “Berlini është kundër Qeverisë aktuale të kryeministrit Thaçi, Lipsius ka thënë se Qeveria Federale Gjermane me të gjitha qeveritë e Kosovës ka pasur bashkëpunim të mirë dhe të ngushtë.

“Deri më tani Qeveria Federale Gjermane me të gjitha qeveritë e Kosovës ka pasur bashkëpunim të mirë dhe të ngushtë. Sa iu përket zgjedhjeve, është vendim sovran i popullit të Kosovës se cilës parti dhe cilët politikanë kosovarë do t’i votojë. Gjithashtu, mendoj se deklaratën e LDK-së, të cilën ju e përmendët, unë nuk do ta kisha mbivlerësuar, sepse ajo nuk korrespondon dhe nuk mbështetet në fakte.

“Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, është ministri i parë i jashtëm nga një shtet i Ballkanit që është ftuar për vizitë zyrtare nga homologu i tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Kjo tregon se qeveria aktuale e Kosovës vazhdimisht është konsideruar nga Berlini partnere e rëndësishme në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Lipsius.