Limaj: Haradinaj do të kthehet në Kosovë, por jo me meritën e kësaj qeverie

Kryetari i Nismas për Kosovës, Fatmir Limaj, duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme për Ramush Haradinajn ka thënë se ndalimi i tij është politik.

Lajme

10/01/2017 13:02

Ai ka thënë se me qëndrimin e tij Haradinaj është duke e ndihmuar më shumë Kosovës, se sa drejtuesit e Kosovës.

“Besoj si pikënisje në këtë seancë duhet t’i japin një trajtim kësaj ashtu sic është. Pikënisja është se z.Haradinaj është ndaluar në Francë dhe çështja është politike dhe jo e drejtësisë, sepse Haradinaj i ka përfunduar çështjet me drejtësi. Po të ishte çështje e drejtësisë do të ishim në një pikë tjetër”, tha Limaj, raporton lajmi.net.

Ai ka thënë se Haradinaj nuk duhet të trajtohet si çështje personale, por si atak ndaj vendit.

“Haradinaj nuk duhet të trajtohet si çështje personale, por si atak ndaj vendit. Nga kush po preket ky integritet, apo kush po e bënë këtë atak, po bëhet nga një politik shoviniste e Serbisë. Cilat janë masat dhe angazhimet tona në mbrojtje të këtij integriteti shtetëror. Ndalohen, abuzohet, keqtrajtohen me të vetmin qëllim se janë qytetarë të Kosovës dhe kanë dhënë kontributin maksimal për Kosovën”.

Limaj ka thënë se Haradinaj personifikon themelet e ndërtimit të këtij shteti “dhe jo rastësisht ai atakohet. Ataku në figurën e Haradinajt është atak ndaj shtetit të Kosovës”.

“Kërkoj nga ju koleg ta trajtojmë në këtë mënyrë. Ku është vendi ynë, çka ne duhet të bëjmë të mbrojnë integritetin e shtetit tonë. Nuk është me bë gara kush e donë më shumë Ramushin, por është angazhim se cka jemi duke bërë me shtetin tonë, a jemi duke kthyer mbar”, ka thënë Limaj.

“Haradinaj do të kthehet në Kosovë, por jo me meritën e tuaj. Haradinaj do të kthehet në Kosovë se nuk e ka asnjë cështje të hapur me drejtësinë. Jo fal angazhimit të Qeverisë, por të ishte angazhimi i Qeverisë ai nuk do të ndalej”, ka përfunduar fjalimin Limaj./Lajmi.net/