Ligji për gjuhët mund të mos dërgohet në Venecia

Derisa profesoresha Tanja Karakamisheva ta përfaqësojë Maqedoninë në Komisionin e Venecias, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve mund edhe të mos dërgohet për mendim.

Lajme

21/01/2019 17:19

Edhe në rast se Qeveria i referohet Venecias, BDI-ja pretendon që të mos dërgohet i gjithë ligji por vetëm dispozitat për banknotat, uniformat e ushtrisë dhe letrat me vlerë.

Atëherë kishte një marrëveshje që këto nene të hiqen nga ligji që të mos rrezikohet dhe të bëhet lëndë i Gjykatës Kushtetuese dhe të dërgohen në Komisionin e Venecias. Kjo ka qenë marrëveshja edhe pse asaj kohë kishte insistime që të dërgohet i gjithë ligji. Në këto ditë kur duhet të diskutojmë se çfarë do të dërgohet në Venecia, unë personalisht mendoj se derisa zonja Karakamisheva është përfaqësuese e Maqedonisë në Venecia, ligji fare nuk duhet dërguar pasi që nuk mendojmë se do të ketë qasje objektive”– tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Grupi i punës i cili është formuar për të monitoruar dhe për t’i rekomanduar institucioneve zbatimin e ligjit, do të zgjerohet. Sipas Osmanit, në të do të përfshihen të gjitha subjektet politike, duke i bërë thirrje kështu edhe OBRM-PDUKM-së të merr pjesë aktive në këtë grup.

Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Ohrit. 17 vite kemi pasur dallime në interpretimin e amendamentit 5 dhe pas 17 viteve debate është gjetur ky kompromis dhe është materializuar një Ligj për përdorimin e gjuhëve i cili është në vijë të Kushtetutës dhe në vijë të Marrëveshjes së Ohrit”- pohoi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane

OBRM-PDUKM-ja ndërkohë dërgoi në Gjykatën Kushtetuese nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët.

Kontestojmë edhe procedurën edhe përmbajtjen e ligjit. Siç theksova edhe më herët, janë bërë shkelje gjatë sjelljes së ligjit sepse është sjell me shumicë të thjeshtë edhe pse përmban çështje të cilat kërkojnë votim prej 2/3. Gjithashtu bie në kundërshtim me amendamentin 5 të Kushtetutës sepse në të thuhet se në të gjithë Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si në nivel shtetëror ashtu edhe në nivel ndërkombëtar”- tha Igor Janushe, Sekretar i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së.

Nismë për kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve kanë dërguar edhe ish anëtarët e OBRM-PDUKM-së. Ndërkohë, nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë duke e përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për dërgimin e Ligjit si dhe dispozitave të pa përfshira në të në Komisionin e Venecias./Alsat-M/