Lekaj i reagon Bahtirit: PAN është unik, institucionet i formojmë ne

Pal Lekaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e koalicionit PAN si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, ka thënë se formimi i institucioneve nga ky koalicion në bashkëpunim me deputetët tjerë është i sigurt.

Lajme

22/07/2017 13:45

Ai ka thënë se ky koalicion është unik dhe do të jetësojë programin e tij qeverisës, shkruan lajmi.net.

Këto deklarime të Lekaj vijnë si reagim i asaj që ka deklaruar anëtari i AKR-së, Agim Bahtiri i cili ka thënë se janë në bisedime më njërën nga partitë e koalicionit PAN.

Lekaj në një deklaratë për lajmi.net të shtunën, ka thënë se në demokraci mund të flasin të gjithë më të gjithë, por se PAN do të jetë formues i institucioneve të reja.

“Në demokraci jemi, të gjithë kanë të  drejtë të flasin e të diskutojnë me te gjithë. Por çështja nëse PAN dhe të tjerët do të bëjnë institucionet në bashkëpunim me deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës tashmë është rregulluar dhe sigurt, kjo jo për inate e në dëm të askujt, por sepse kështu e thotë demokracia si koncept e nevoja si praktikë për Kosovën dhe vendimet që duhet marrë për të ecë me ritëm të përshpejtuar”, ka thënë Lekaj për lajmi.net.

Agim Bahtiri nga AKR ka thënë mbrëmë për Persikopi.com se ata janë në bisedime më njërën nga partitë e koalicionit PAN dhe se shumë shpejtë do të ketë rezultate.

‘Jemi duke biseduar edhe me një parti e cila është në koalicion me PAN që të kemi mundësi të kemi më shumë numra me shqiptarë. Jam shumë i bindur që edhe ata deputetë të PAN-it nuk e duan një qeverisje të tillë e cila u është ofruar’, ishte shprehur Bahtiri.

Por, Lekaj ka mohuar se mund të ketë një ndarje të koalicionit PDK-AAK-Nisma. Ai ka thënë se demokracia në Kosovë është ende e njomë ku krijohen hapësira për interpretime të ndryshme.

“ Ne e dimë që jemi me demokraci e cila ende është e njomë të ne dhe prandaj ka kaq shumë hapësirë për gjithfarë interpretimesh e tendencë për kombinime. Por PAN është unik dhe si i tillë do të jetësoj programin e vet qeveritarë që do të sjellë dobi për vendin dhe qytetarët e tij”, është shprehur Lekaj për lajmi.net.

Zyrtarë të koalicionit PAN që pas shpalljes së rezultateve të 11 qershorit janë deklaruar se kanë siguruar votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë. A ta janë shprehur se kanë mbështetjen edhe të disa deputetëve të LDK-së e AKR-së, e cila është mohuar nga këto dy parti, por edhe nga disa deputetë të përfolur që mund ta mbështesin Haradinajn për kryeministër.

Ai të premten ka vizituar familjen e presidentit Ibrahim Rugova ku ka thënë se ka marr mbështetjen e kësaj  familje dhe deputetes Teuta Rugova.

Formimi i institucioneve të reja ende nuk ka ndodhur edhe pse certifikimi i rezultateve nga KQZ ka ndodhur më 8 korrik.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit PDK-AAK-Nisma ka fituar 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje 32 dhe LDK-AKR 29. /Lajmi.net/