LDK alarmon krijimin e Ushtrisë së Kosovës. A do ta votojnë ligjin? (Dokument)

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është alarmuar për krijimin e ushtrisë së Kosovës, nëpërmjet projektligjit të hartuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Lajme

07/03/2017 17:26

Partia e kryeministrit Isa Mustafa e cila në vitin 2014 e kishte bllokuar votimin e ndryshimeve kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, sërish është përpjekur të pengoj krijimin e ushtrisë, nëpërmjet iniciativës ligjore të presidentit Hashim Thaçi në koordinim me kryeparlmentarin dhe liderin e PDK-së Kadri Veseli.

Të ndodhur përballë iniciativës konkrete e cila ka tejkaluar ngurrimin e Qeverisë Mustafa i cili që nga krijimi i qeverisë është frikësuar të procedojë ndryshimin e legjislacionit për formimin e ushtrisë, LDK sërish është përpjekur të ngjallë frikë për transformimin e FSK-së në ushtri.

Të martën paradite, pak orë para se presidenti Thaçi t’ia procedoj solemnisht kryeparlamentarit Kadri Veseli projektligjin për krijimin e ushtrisë së Kosovës, ministri i FSK-së Haki Demolli (LDK) e ka dërguar një letër në adresë të tre krerëve të shtetit, përmes së cilës është përpjekur të alarmoj se gjoja disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur shqetësim për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve të legjislacionit.

“Të nderuar, ju njoftoj se me datën 06.03.2017 në ora 20:00 në kabinetin e ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë telefonuar nga zyra e Michael Carpenter, deputy assistant secretary of U.S dhe kanë kërkuar që të bisedojnë me ministrin për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me deklaratat për transformimin e FSK në FAK nëpërmjet ligjit. Shqetësime të menjëhershme kanë pasur edhe Atasheu Amerikan i Mbrojtjes pranë Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë dhe zv-drejtori i NALT-it z. Mark Theobald”, thuhet në letrën e ministrit të FSK-së e cila përmban shumë gabime drejtshkrimore.

Tani që përpjekja e ministrit të LDK-së për të alarmuar mos procedimin e ligjit për ushtrinë e Kosovës ka dështuar pasi nuk është marrë parasysh dhe projektligji tashmë është proceduar nga presidenti tek Kryeparlamentari Veseli, mbetet e paqartë nëse Lidhja Demokratike e Kosovës do ta votojë në Kuvend ligjin për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Tri vite më parë, kreu aktual i LDK-së Isa Mustafa kishte refuzuar të votonte ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri, për çka ishin pajtuar edhe deputetët serbë, vetëm sepse ato ndryshime kushtetuese kishin paraparë si kompromis edhe një mandat të vendeve të rezervuara për pakicat.