LajmiVOX: A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria? (Video)

Bashkim Kombëtar?

Lajme

12/10/2016 14:46

Po, edhe qytetarët e Republikës së Kosovës besojnë se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen pasi ato janë një.

Kush po e pengon Kosovën dhe Shqipërinë të realizojnë një gjë të tillë, pasi shumica po e duan bashkimin e tyre?, shkruan lajmi.net.

Qytetarët e Kosovës mendojnë se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen për disa arsye, se të gjithë jemi shqiptarë, jemi një gjak, kemi një kulturë të njëjtë dhe së bashku jemi një.

Njëri prej qytetarëve tha për rubrikën tonë “LajmiVOX”, se të gjithë kanë bërë të pamundurën të na ndajnë, por shpirtërisht këto dy vende kurrë nuk janë ndarë.

“Jemi një, një gjuhë, një komb, një shtet. Edhe ata që mendojnë të mos bashkohemi, ata veç “shkaut” ia duan të mirën”.

“Këta edhe Trepçën po duan me na marrë, po s’kanë me marrë kurrë”, u shpreh ai.

Edhe pse duket një situatë e vrazhdë aktualisht, qytetarët mendojnë që shqiptarët përsëri kanë dëshirë të takohen, të bashkohen e të bëhen një, e madje të ballafaqohen me çdo armik.

Një tjetër qytetar thotë se “Ne një jemi”, edhe pse të ndarë Kosovë e Shqipëri, ne të gjithë jemi shqiptarë.

“Qe na kanë nda ma herët, ajo është tjetër punë, lufta e bënë të vetën, por besoj që kanë me mrri këtë sukses”.

Edhe pse shumica besojnë dhe mendojnë se duhet të bashkohemi sepse jemi një komb dhe jemi vëllezër, në anën tjetër një qytetare e re beson të kundërtën!

“S’po besoj qe duhet me u bashku, më mirë është me u bë dy fuqi shqiptare në Evropë, se sa një e bashkuar”. /Lajmi.net