Kush na ka faj?

Nuk ka më azil për ne, as jashtë vendit, në Evropë, as këtu në Kosovë. Kot e kemi. Do të detyrohemi vetë të dalim prej gjendjes ku kemi ardhë.

Opinion

05/03/2015 13:04

Kushdo që e ka lexuar romanin “Nata” të Elie Wiesel, i cili ka fituar Çmimin Nobel për paqe, nuk ka si të mos e kujton çastin më tronditës të rrëfimit autobiografik të këtij të mbijetuari të Auschwitz-it dhe kampeve të tjera të përqendrimit.

Wiesel, ndryshe, një mik i shqiptarëve dhe i Kosovës, aty kallëzon për tablonë kur treni i mbushur me të gjallët e fundit të një kampi, bllokohet diku udhës.

I gjithë dëshpërimi, e tëra lodhja, e gjithë dhimbja dhe pafuqia e madhe që bashkonte këta të përvuajtur, bashkohet në një moment në një klithmë lemeritëse që çanë qiellin.

Atyre nuk u kishte mbetur gjë tjetër në jetë. Pos kjo klithmë.

Duket që asgjë nuk lidhë këtë përshkrim të Wiesel me Kosovën e këtyre ditëve, të marsit të vitit 2015. Njëmend, situatat nuk kanë gjë të përbashkët. Dhe krahasimet e shumta që po bëhen në këtë ambientin e tanishëm politik dhe mediatik të Kosovës, janë një “prodhim vendor”, që veç sa konfirmon që na ka humbur fija, apo që kemi bërë lëmsh politikën dhe shoqërinë kosovare.

Ama, vështirë që mund të jetë i gabuar një mendim, i cili na dëftohet si vlerësim për fundosjen e vazhdueshme të këtij vendi në një moçal që ka emrin e dëshpërimit të madh dhe mbiemrin e pafuqisë së paparë të të gjithë neve.

Duket që edhe neve këtu na ka mbetur të bashkohemi në një klithmë.
Por duket se së pari që nuk mund të ketë aspak pajtim, as për këtë gjë.

Do të duhet gjetur origjinën e saj, apo, shkaktarët e saj. Aty, në këtë kërkim, dikush kthehet në 15 muajt e fundit, ka të tillë që shkojnë pak më larg, në 15 vitet që prej çlirimit e këndej, ndërsa nuk mungojnë edhe ata më të guximshmit, që numërojnë 1500 a 3000 vjet që kështu përpëlitemi dhe mundohemi.

Pastaj, së dyti, politika dhe shoqëria e sotme kosovare, mund të definohet si një vend ku sundon llomotitja e përgjithshme e cila kohë pas kohe kalon madje në histeri kolektive, ndërsa vazhdueshëm prihet prej vaniteteve, tekeve dhe hujeve të shumëllojta.

Duket që në një gjendje të kësisoj, as një britmë e këtillë nuk do të bënte punë më.
Nuk ka vesh më për ta dëgjuar atë. Si po duket.
Nuk kemi vesh më as për të kuptuar çka po na thonë miqtë tonë pa të cilët nuk do të mbërrinim këtu ku jemi.

Gjithkush na ka faj, kur shikojmë Botën nga perspektiva e jonë, në vlerësimin e gjendjes ku jemi sot.
Ndërsa kur i drejtohemi njeri-tjetrit, në çfarëdo lloj të komunikimit që kemi, fajtori gjendet te ai tjetri.

Nuk ka këndejpari aspak vullnet për të heshtë, në kërkim të përgjigjeve të ndershme, për të folur pastaj, në artikulimin e qëndrimeve të cilat do të na tregojnë udhën dalëse prej kësaj sfilitjeje kolektive që nisë e sosë ditën dhe natën e thuaja të gjithë neve.

Ta zëmë, ne mund të flasim non-stop për arsyet pse do të duhet të bëhen Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Kosovë, dhe cilat do të jenë pasojat e këtij veprimi që duket që është i pashmangshëm.

Por pse në këtë politikën dhe shoqërinë kosovare, nuk kemi aq pak guxim dhe pak më shumë sinqeritet për ta pyetur njeri-tjetrin se si është e mundur që nuk jemi në gjendje që as Listat e veteranëve të UÇK-së t’i bëjmë si duhet? Kush na ka faj që u bëmë përrallë me një ndërmarrje që do të duhej të ishte kallëzim i dinjitetit për të gjithë ne?

Nuk po jemi në gjendje as regjistrimin e studentëve në Universitet ta bëjmë me rregull dhe pa probleme. Nuk po dimë t’i shkojmë në fund zgjedhjes së Kryeprokurorit, të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, të drejtorëve të kompanive publike, të anëtarëve të Bordeve të ndryshme. Nuk po e përmbyllim ndershëm as tenderët për barëra jetike, e lëre më diçka tjetër.

Duhet ta dimë: Nuk ka më azil për ne, as jashtë vendit, në Evropë, as këtu në Kosovë.
Kot e kemi.
Do të detyrohemi vetë të dalim prej gjendjes ku kemi ardhë.

Ndërsa për çdo ditë që kalon kështu kot së koti, do të jetë më vështirë për të gjetur shtegdaljen. Për ta shpëtuar këtë vend, këtë shtet, këtë shoqëri.
Kaq poshtë pra kemi ra.

(Autori është opinionist i rregullt në Lajmi.net)