Kusari lut gjakovarët të mos ketë incidente: Do përdoret kundër Kosovës në UNESCO

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila u bënë thirrje të gjithë gjakovarëve që nesër, kur do të ndodh vizita e paralajmëruar e serbëve në Kishën Ortodokse në Gjakovë, të kalojë e qetë, pa asnjë incident apo moment i cili mund të shfrytëzohet kundër Kosovës në ditët në vijim.

Lajme

06/11/2015 20:28

Ajo bënë apel te të gjithë banorët e kësaj Komune, të jenë të qetë, të mos bijnë pre e asnjë provokimi ose tundimi për të reaguar ndaj vizitës së nesërme, të respektojnë të drejtën dhe lirinë e lëvizjes dhe të kuptojnë se nesër nuk po vëzhgohet Gjakova, por po matet e gjithë Kosova në rrugëtimin e saj drejt UNESCO-s, raporton lajmi.net.

Sipas saj, vizitat në objektet kulturore dhe fetare janë e drejtë e përcaktuar me Kushtetutën e vendit, dhe thotë se do jenë ata të cilët sigurojnë kushtetutshmërinë e secilit.

Ja shkrimi i plotë i saj:

i çdo herë tjetër kur i duhet vendit dhe të ardhmes së tij, banorët e Komunës së Gjakovës pa dallime politike ishin dhe do të jenë në përkrahje të proceseve të integrimit dhe avancimit të shtetit të Kosovës.

Republika e Kosovës është para një momenti historik për të ardhmen e saj dhe të trashigimisë së saj kulturore dhe fetare. Konferenca e UNESCO-së në Paris me 9 Nëntor, do të konfirmojë rëndësinë dhe të ardhmen e sigurt të trashëgimisë tonë të krijuar ndër shekuj dhe Kosova përfundimisht do të votohet si anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë.

Për asnjë çmim dhe në asnjë rast, Komuna e Gjakovës nuk do ti shërbejë askujt si pretekst për të ndaluar Kosovën në rrugën e sigurt të anëtarësimit në UNESCO.

Vizita e nesërme e paralajmëruar e serbëve në Kishën Ortodokse në Gjakovë duhet dhe do të kalojë e qetë, pa asnjë incident apo moment i cili mund të shfrytëzohet kundër nesh në ditët në vijim. Vizitat në objektet kulturore dhe fetare janë e drejtë e përcaktuar me kushtetutën e vendit dhe ne do të jemi ata të cilët sigurojmë kushtetutshmërinë e secilit në këtë nënqiell tonin.

Ditën e nesërme, vlera dhe angazhimi patriotik i secilit do të matet me atë se sa sigurojmë mbarëvajtjen e vizitës në kishën ortodokse, nesër do të dëshmojmë se Kosova meriton të jetë anëtare me të drejtë të plotë në UNESCO dhe se të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare janë dhe respektohen si të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj.

Si Kryetare e Komunës së Gjakovës, apeloj tek të gjithë banorët e Komunës tonë, të jenë të qetë, të mos bijnë pre e asnjë provokimi ose tundimi për të reaguar ndaj vizitës së nesërme, të respektojnë të drejtën dhe lirinë e lëvizjes dhe të kuptojmë se nesër nuk po vëzhgohet Gjakova, por po matet e gjithë Kosova në rrugëtimin e saj drejt UNESCO-së.

Njëkohësisht, dua të siguroj të gjitha palët se Komuna e Gjakovës do të jetë konfirmimi final se Kosova në UNESCO është realiteti i pakonstetuar dhe i domosdoshëm për një të ardhme të bazuar në vlera të respektit dhe pranimit të gjithë diversitetit të nënqiellit tonë./ lajmi.net