Kurban Bajrami në shtëpitë e këngëtareve shqiptare, bakllavë e ëmbëlsira tjera në tryezat e tyre

Sot, besimtarët e fesë islame festojnë Kurban Bajramin.

ShowBiz

21/08/2018 12:14

Në familjet e secilit presin dhe përcjellin mysafir, ndërsa një detaj që e ‘simbolizon’ këtë festë janë edhe ëmbëlsirat, shkruan lajmi.net.

Por, si e festojnë Bajramin këngëtaret tona, të cilat në këtë sezonë janë shumë të angazhuara me dasma dhe ahengje të tjera familjare?

Lajmi.net ka pyetur disa prej këngëtareve shqiptare se si e kremtojnë këtë festë, a janë ato të angazhuara sonte në ndonjë aheng dhe a kanë përgatitur ëmbëlsira.

Shyhrete Behluli dhe Engjëllusha Salihu

Që të dyja kanë pasur datat e rezervuara për krejt sezonën e dasmave dhe ende vazhdojnë të jenë aktive në këto ahengje. Këto angazhime bëjnë që ato në disa raste të jenë larg më të dashurve të tyre.

Por, për këtë festë, Shyhretja dhe Engji kanë vendosur që të kremtojnë në gjirin familjar, duke lënë pas angazhimet në profesion.

“Zakonisht edhe i presim mysafirët, por edhe i vizitojmë të gjithë të afërmit se pikërisht është festë që mendoj se mund t’i shohim njerëzit mes vete, sepse jeta është bërë shumë dinamike. Andaj në këto raste preferojmë me i vizitu të gjithë familjarët”, ka thënë Engji për lajmi.net.

Ndërsa, e pyetur se a kanë përgatitur ëmbëlsira për këtë festë, Engji ka thënë se pjesë e tryezës së Bajramit në familjen Salihu gjithmonë janë edhe ushqimi edhe ëmbëlsirat, të cilat i përgatisin bashkë me Shyhreten.

Ryva Kajtazi

Edhe artistja tjetër, Ryva Kajtazi këtë festë e kalon bashkë me familjen dhe është përgatitur për t’i pritur sa më mirë mysafirët.

“Jemi përgatit me i prit mysafirët me ëmbëlsira qysh e do zakoni. Bashkë me vjehrrën kemi përgatit disa lloje të ëmbëlsirave, në mesin e tyre edhe bakllava”, ka thënë ajo për lajmi.net.

Tashmë, festat për Ryvën kanë marrë tjetër kuptim, pasi me të feston edhe vogëlushja e saj Dorela, të cilës këngëtarja tregoi se i ka blerë fustan për këtë festë.

Motrat Mustafa

Edhe Sahide dhe Safete Mustafa në kalendarin e dasmave të rezervuara për këtë vit, kanë lënë të zbrazët datën 21 gusht, andaj festojnë Kurban Bajramin në familjet e tyre.

Për lajmi.net, Sahidja ka thënë që kanë kryer të gjitha përgatitjet për festë, pavarësisht se janë shumë të zëna me dasma në këtë periudhë.

As bakllava nuk do të mungojë në tryezën e tyre, por Sahidja kësaj radhe nuk e përgatiti vet, por e mori dhuratë këtë ëmbëlsirë.

Për lexuesit e lajmit, Sahidja uroi festën, duke iu dëshiruar të gjihëve çdo të mirë.

“Shfrytëzoj rastin të jua uroj të gjithëve Kurban Bajramin, shëndet, lumturi e gjitha të mirat, ju urojmë nga zemra”, shtoi ajo.

Remzie Osmani

Edhe Remzie Osmani ditën e sotme ka anuluar çdo aktivitet në muzikë, pasi do të festojë bashkë me familjen.

E pyetur se a ka përgatitur ëmbëlsira për Bajram, këngëtarja tha se dje gjatë ditës i kishte përfunduar me ndihmën e vajzës, ndërsa sot pret mysafirë.

“Kam planifikuar edhe t’i vizitoj të afërmit, ngase tash e dy muaj gati jam me angazhime dhe nuk kam pasur kohë”, tha ajo për lajmi.net.

Teuta Selimi

Për dallim prej artisteve të tjera, Teuta Selimi ka zgjedhur që festën e Kurban Bajramit ta kalojë larg shtëpisë, por bashkë me familjen.

“Kemi shku me familjen në pushim, kështu që po festojmë këtu së bashku”, ka thënë ajo për lajmi.net.

Adelina Emini

Artistja Adelina Emini ka thënë se Bajramin gjithmonë preferon ta kalojë pranë më të dashurve të saj.

“Sigurisht që si çdo shtëpi e familje tjetër presim mysafirë dhe po ashtu edhe unë shfrytëzoj rastin që me prindërit të bëjmë vizita tek të afërmit tanë”, shtoi Adelina për lajmin.

Natyrisht që edhe në tryezën e familjes Emini nuk mungojnë ëmbëlsirat e llojeve të ndryshme.

Nga kjo që deklaruan këngëtaret tona del se janë festat ato që mundësojnë që këngëtaret të jenë bashkë me të afërmit e tyre, andaj kujdesen që këtë ditë t’ia përkushtojnë vetëm atyre.

D.A