Kuqezi në 102-vjetorin e Pavarësisë (Foto)

Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë, Greqi dhe kudo që ndodhen në diasporë, po festojnë këtë të premte 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit, që shënon 102 vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. 

Lajme

28/11/2014 11:25

Tirana, Prishtina, Shkupi dhe qytete të tjera janë zbukuruar me flamuj kombëtar dhe simbole tjera kuqezi, ndërsa kudo nëpër trojet shqiptare këtë paradite po bëhen homazhe për nder të të rënëve për liri dhe pavarësi.  

Në Vlorë, aty ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, në mënyrë simbolike sot është ngritur flamuri kombëtar, në prani të presidentit shqiptar Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama dhe personaliteteve të tjera të shtetit shqiptar dhe të ftuarve nga mbarë trojet shqiptare.

Drejtues të Shtetit Shqiptar dhe atij të Kosovës, si dhe liderë të partive politike, kanë uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit Kombëtar, ndërsa aktivitetet kulturore pritet të mbahen pasdite në shumë qytete shqiptare, që do të përmbyllen me koncerte muzikore nëpër sheshe.   Ashtu sikurse Tirana, edhe Prishtina është stolisur me simbole kombëtare, ndërkohë që sheshet e saj këtë paradite janë zënë nga panairi mbarëkombëtar “Blej Shqip”, që ka si moto blerjen e prodhimeve vendore, që do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe të zhvillimit ekonomik.  

Përveç Ditës së Flamurit, në Kosovë ndjehet atmosferë edhe më festive, pasi 28 nëntori është edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe po ashtu shënon ditën e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Atmosfera festive dhe urimet për Ditën e Flamurit nuk ndjehen e dëgjohen vetëm në trojet shqiptare, pasi në shumë metropole perëndimore ku jetojnë shqiptarët që kanë emigruar nga vendlindja e tyre, janë vendosur nëpër lagje të caktuara simbolet kuqezi, me lejen e autoriteteve përkatëse.  

Edhe lajmi.net i uron të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, në Greqi e Itali, dhe kudo që ata ndodhen nëpër botë: Gëzuar Ditën Flamurit – Ditën e Pavarësisë!