Kryeshefi i KUR “Prishtina”: Kërkojmë nga KEDS të mos e ndal rrymën, na krijon probleme në furnizim

Kryeshefi i Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu ka thënë se mungesa e energjisë elektrike është duke shkaktuar probleme në furnizimin me ujë 24 orë për Prishtinën, Podujevën, Obiliqin, Fushë Kosova, Graçanicën.

Lajme

28/03/2017 11:13

Ai ka thënë për lajmi.net se kanë pasur reduktime të energjisë elektrike që nga e shtuna e kaluar, gjë që ka vështirësuar furnizimin me ujë nga fabrika në Shkabaj.

“E lusim KEDS-in që ta furnizojë me energji elektrike pa ndërprerë Ujësjellësin ‘Prishtina’, pasi që mungesa e energjisë është duke na shkaktuar telashe në furnizim të qytetarëve me ujë”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, Ujësjellësi “Prishtina” është pagues i rregullt i energjisë elektrike, por edhe kërkojnë shërbime sepse është vështirësuar prodhimi i ujit.

“Nga e shtuna dhe deri mbrëmë herë pas herë kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike gjë që ka vështirësuar prodhimin e ujit në fabrikën e re në Shkabaj”, ka thënë Abdullahu për lajmi.net.

Kujtojmë se nga dje Ujësjellësi rajonal ka filluar furnizimin me ujë 24 orë për Prishtinën dhe disa qytete për rreth.

Në fabrikën e re kanë investuar Komuna e Prishtinës, Ujësjellësi i Prishtinës, Qeveria e Kosovës, Qeveria Zvicerane etj./Lajmi.net/