Krim i organizuar e korrupsion – akuzohen 39 persona, përfshirë edhe politikanë

Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë ku përfshihen 39 persona. Në njoftimin e dërguar nga ky institucion thuhet se në mesin e tyre ka edhe politikanë

Lajme

16/09/2016 14:34

 

Lexojeni të plotë njoftimin e Prokurorisë Speciale:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, kundër 39 të pandehurve për veprat penale: Krimi i organizuar, nga neni 274 par. 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, lidhur me veprën penale: Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, nga neni 339, par. 3 lidhur me par 1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe veprën penale: Krimi i organizuar, nga neni 274 par. 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, lidhur me veprën penale: Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, nga neni 236, par. 2 lidhur me par 1 nën-par. 5 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Të pandehurit janë: Q.M, H.D, V.G, Q.S, I.R, M.N, M.K, H.M, F.H, D.B, A.H, R.M, S.Sh, G.K, Sh.Q, M.C, I.F, B.M, H.I, F.O, H.A, S.Xh, Q.L, E.B, A.M, N.S, Z.F, A.M, N.J, B.K, A.P, Rr.H, F.Z, S.I, N.M, M.A, B.G, A.A dhe A.S.

Në mesin e të akuzuarve është edhe një ish kryetar komune dhe njëzet e tetë zyrtarë tjerë te asaj komune, si dhe dhjetë pronar apo përfaqësues të operatorëve ekonomik të caktuar. Sipas aktakuzës zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Për më tepër, gjatë analizimit dhe trajtimit të hollësishëm të këtyre aktiviteteve të prokurimit në periudhën kohore 2008-2011 ka rezultuar se ish kryetari, duke ushtruar fuqinë e tij ekzekutive si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ishte në dijeni për të gjitha këto aktivitete të prokurimit, krejt kjo bazuar në komunikimet e drejtpërdrejta dhe komunikimet përmes telefonit me menaxheren e prokurimit dhe me pronarët apo përfaqësuesit e këtyre bizneseve. Përmes menaxheres së prokurimit, ish kryetari, kishte fuqinë edhe sa i përket vendosjes së caktimit të anëtarëve të komisioneve për vlerësimin e ofertave dhe anëtarëve të komisioneve vlerësuese në aktivitete të ndryshme të prokurimit.

Nga këto komunikime, ka rezultuar se pronarët e bizneseve i fitonin këto kontrata në bazë të kurdisjeve me ish kryetarin, menaxheren e prokurimit dhe dakordimeve paraprake të pronarëve të këtyre bizneseve, krejt kjo me qellim qe t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm dhe me këtë duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit, buxhetit të Kosovës dhe operatorëve të tjerë ekonomik, të cilët nuk ishin pjese e këtyre kurdisjeve.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit.