Krasniqi kërkon Qeveri pa zëvendësministra

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se Qeveria e re, e udhëhequr nga Isa Mustafa, nuk duhet të ketë zëvendësministra.

Lajme

14/12/2014 18:38

Ai propozon që Kryeministri Mustafa duhet tu tregojë qytetarëve se sa para shpenzohen për një ministër dhe zëvendësministër.

Lexoni të plotë reagimin e Jakup Krasniqit

KJO QEVERI NUK DUHET TE KETË ZËVENDËSMINISTRA

Pasi qeveria e “re” e Kosovës, ka kabinetin më të madh në Botë, atëherë çdo qytetari të Kosovës e ka të drejtën të kërkoj nga Kryeministri i Kosovës që mos të ngarkohet buxheti i tyre edhe me 70 zëvendësministra. Për faktin se buxheti i Kosovës nuk është vetëm i te punësuarve në administratën e shtetit dhe në shërbimet publike të Kosovës, por është buxhet që duhet të jetë në shërbim të çdo qytetari të vendit.

Është e domosdoshme, që Kryeministri të jep një informacion të plotë para opinionit, sesa kushton në vit një ministër me stafin e tij politik, sa kushton një zëvendëskryeministër me stafin e tij politik dhe sa kushton një zëvendësministër me stafin e tij, natyrisht duke përfshirë edhe shpenzimet e tjera që i kanë në dispozicion. Në fund duhet të dihet sesa kushton i tërë kabineti qeveritar,

Sipas një llogarie të thjesht del se: nëse një zëvendësministër me te gjitha shpenzimet kushton 2000 euro ( gjë që është e pa mundur), 70 zv.ministrat, buxhetit të Kosovës i kushtojnë 1.680.000 euro në vit, ndërsa, nëse ai harxhon 3000 euro në muaj, ata buxhetit të Kosovës i kushtojnë 2.520.000 euro në vit dhe sa kushton nëse shpenzimet e tij mujore e kalojnë shumën prej 3000 eurove. Pra është e domosdoshme që këto shpenzime të bëhen transparente.