Krasniqi kërkon kamata më të ulëta për zhvillimin e bujqësisë

(E plotësuar) Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti të hënën kryetarin e Komunës së Mamushës, Arif Bytyçi, me të cilin ka biseduar për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015, si dhe për mundësitë që ofron ky program për sektorët potencial të kësaj komune. Krasniqi ka takuar edhe drejtuesit e Shoqatës së institucioneve mikrofinanciare, të cilëve u ka thë se Qeveria do të shqyrtojë mundësinë e subvencionimit të pjesshëm të kamatave për bujqit kosovarë. 

Lajme

02/02/2015 16:33

Me këtë rast, ministri Krasniqi e njoftoi kryetarin edhe për skemat e  reja mbështetëse të këtij programi, në kuadër të cilave përfshihet edhe sektori i perimtarisë, në të cilin kjo komunë ka potencial për të rritur nivelin e prodhimtarisë, e i cili sipas ministrit do të gjejë mbështetje të madhe si përmes granteve investive, ashtu edhe përmes pagesave direkte.

Krasniqi theksoi se fushat e punuara të komunës së Mamushës dhe rezultati i fermerëve dhe shoqatave të kësaj ane në prodhimtarinë e perimeve janë suksese të mëdha në fushën e bujqësisë, pasi që prodhimet e tyre po depërtojnë edhe në tregun e rajonit e më gjerë.

Po ashtu u konfirmua gatishmërinë e MBPZHR-së për të thelluar bashkëpunimin me këtë komunë, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sektorit të perimtarisë në këtë rajon.

Kreu i Mamushës, Arif Bytyçi e falënderoi Krasniqin për gatishmërinë për avancim të projekteve në këtë sektor. Ai e njoftoi ministrin edhe për sfidat dhe të arriturat në fushën e bujqësisë, si dhe shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar edhe më tej me këtë ministri, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë.

Ministri Krasniqi takoi të hënën edhe drejtuesit e Shoqatës së institucioneve mikrofinanciare, të cilët i porositi që të kopntribuojnë ne në zhvillimin e bujqësisë.  

Në këtë kontekst ai tha se Qeveria në të ardhmen do të shqyrtojë mundësinë e subvencionimit të pjesshëm të kamatave nga portofoli kreditor që i dedikohet bujqësisë, duke u bazuar në shembujt më të mirë që mundësojnë rritjen e investimit në bujqësi dhe zhvillim rural.

Vahdet Anadolli, kryetar i kësaj shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me MBPZHR-në dhe institucione të tjera në funksion të mbështetjes më të gjerë të fermerëve, veçanërisht të atyre që kanë vështirësi për t’u kredituar nga bankat komerciale.