KQZ shpenzon 7 mijë euro për celularë

Shtatë mijë euro ka nda Sekretariati i KQZ-së për të blerë celularë për anëtarë të vet, kryesues dhe anëtarë të KQZ-së. Procesi kishte arritur deri në marrjen e ofertave nga kompanitë e celularëve, por është ndalur nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Lajme

10/04/2014 19:20

Rreth 1 mijë euro në muaj marrin pagë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa drejtorët eSekretariatit marrin mesatarisht nga 600 euro. Por, kjo nuk u ka mjaftuar dhe ata kanë porositur telefona mobil të modeleve të fundit në treg.

Shtatë mijë euro janë nda për këtë qëllim mbi planin e prokurimit për vitin 2014, të cilin e ka siguruar KTV.

Por, sipas të njëjtit televizion, në momentet e fundit kjo kontratë është anuluar me një vendim të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, e cila nuk është pajtuar që edhe punëtorët e Sekretariatit të furnizohen me celularë.

Daka ka pranuar që e ka ndalur këtë proces, por ka thënë se kjo është bërë përkohësisht, për të parë se kujt i duhet telefoni e kujt jo.

Daka nuk ka pranuar të flasë para kamerës, duke thënë se kjo është punë e Prokurimit, por ka shtuar se ka dashur të ndalojë një shpenzim të panevojshëm, transmeton KTV.