Kosova rrezikon të mos ketë liberalizim të vizave as më 2019

Çështja e liberalizimit të vizave nuk do të jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë të Bashkimit Evropian që mbahet më 6 dhe 7 dhjetor.

Lajme

03/12/2018 12:19

Kjo është konfirmuar nga Artan Murati i KDI-së i cili këto ditë po qëndron në Vjenë.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se sapo është konfirmuar se heqja e vizave për Kosovën nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave as këtë vit.

Murati ka bërë të ditur që çështja e vizave për Kosovën rrezikon të shtyhet edhe pas vitit 2019.

“Lajme të këqija prej Austrisë: konfirmohet e pritura, nuk jemi pjesë e agjendës së Këshillit (të Ministrave) për çështjen e liberalizimit. Kjo me gjasë do të na e humbë edhe vitin 2019, pa pasur mundësi të lëvizim lirshëm në zonën Schengen”, ka shkruar Muarati, përcjell lajmi.net.
Ai po ashtu ka thënë se “mrekullia mund të ndodhe, me ndonjë lëvizje në çastet e fundit ne agjende. Gjasat për këtë lëvizje janë 0.001%”.

Sipas tij, BE-ja e ka humbur busullën me Ballkanin.

“Është krejtësisht e ç’orientuar dhe pa strategji konkrete. Edhe institucionet tona, që nga 2010 e deri me tani, me shume kane bere politike elektorale me liberalizim sesa punë konkrete. Ky është rezultati, qytetaret e mbyllur në disa km2”.

Lexo edhe:

Liberalizimi i vizave nuk është në agjendën e Këshillit të BE-së? Flet ministrja Hoxha

Edhe Ministrja e Integrimve Dhurata Hoxha, në një prononcim për lajmi.net kishte thënë se janë duke kërkuar nga presidenca austriake futjen në agjendë të liberalizimit të vizave.

Po ashtu Hoxha kishte sqaruar se para se të futet në Agjende të Këshillit të Ministrave, çështja duhet të kalojë në nivelin COREPER, ku janë të përfaqësuara shtetet anëtare në nivel të ambasadoreve permanent në Bruksel.

“Çështja e futjes në agjende të liberalizimit të vizave është diçka çka ne jemi duke kërkuar nga presidenca austriake. Mirëpo para se të futet në Agjende të Këshillit të ministrave, çështja duhet të kaloi në nivelin COREPER, ku janë të përfaqësuara shtetet anëtare në nivel ambasadoreve permanent në Bruksel. Pra vendosja në agjende duhet të bëhet njëherë ne COREPER, të votohet aty, dhe pastaj mund të kaloje në Këshillin e Ministrave. Ne në vazhdimësi po kërkojmë që të futet në agjende nga presidenca austriake”, kishte thënë ministrja Hoxha. /Lajmi.net/