Kosova, model për rajonin për zbatimin e ligjeve kundër terrorizmit

Senatori amerikan, Christopher Murphy ka deklaruar se  Kosova po shërben si model për rajonin dhe botën kur bëhet fjalë për ndjekjen penale dhe zbatimin e ligjeve kundër terrorizmit. 

Lajme

20/10/2014 17:50

“Jam shumë krenar që gjendem këtu sot me partnerë të vërtetë në luftën kundër terrorizmit. Prandaj do të flasim me shumë krenari për atë që Kosova ka bërë në këtë drejtim”, ka thënë Murphy në një intervistë për Kohën Ditore.

“Në Shtetet e Bashkuara ne nuk shohim rrezik më të madh për vendin tonë dhe miqtë tanë në Evropë dhe Ballkan sesa shtimi i fuqisë së ISIS-it në Lindjen e Mesme dhe gjasat që këta luftëtarë terroristë të kthehen këtu dhe të luftojnë kundër popullit dhe vendit të tyre”.

“Qartësisht ky është problem në Evropë dhe Ballkan. Kur të rinjtë shkojnë dhe i bashkohen ISIS-it, atëherë ky bëhet problem i menjëhershëm në Lindjen e Mesme, por pastaj bëhet rrezik afatgjatë për kombin e tyre, sepse shumë prej këtyre burrave e grave, por shumica burra, do të kthehen në shtëpi”.

Megjithëkëtë, senatori amerikan ka thënë se luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit nuk ka të bëjë vetëm me burgosjen e njerëzve.

“Duhet po ashtu të adresohen arsyet që këta të rinj joshen nga imamët dhe xhamitë radikale. Realiteti është se me një numër kaq të madh të të papunëve, të rinjtë nuk shohim mundësi të mjaftueshme këtu në Kosovë. Por situata e njëjtë e papunësisë është edhe në vendet e tjera të rajonit”.

“Duhet të hartohet një strategji rajonale në partneritet me Bashkimin Evropian që të adresohen këto çështje të pakënaqësisë së të rinjve, që është endemike për tërë rajonin dhe sinqerisht edhe për disa pjesë të Evropës, sepse arsyeja pse shumë të rinj nga vendet evropiane po i bashkohen kësaj organizate ekstremiste është se ato vende nuk i kanë përgjigjet për të rinjtë”.

Murphy ka thënë se kjo tregon se luftimi i terrorizmit duhet të bëhet përmes zbatimit të ligjit, por po ashtu edhe duke i përmirësuar politikat sociale.