Kosova, kushti kryesor

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, thotë se askush nuk duhet t’i injorojë apo nënvlerësojë kushtet e BE'së për Serbinë. Sipas tij, me to është duke u marrë edhe niveli më i lartë i BE’së, Këshilli Europian.

Lajme

09/10/2013 13:17

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, shtet i cili mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka konfirmuar se Kosova mbetet kushti kryesor për Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

“Në kornizën e bisedimeve Kosova zë vend qendror. Kjo çështje është e një rëndësie të madhe. Me të do të merret edhe Këshilli Europian”, ka thënë Ministri Linas Linkevicius në një intervistë për gazetën beogradase “Novosti”.

I pyetur nëse Kosova duhet të jetë në qendër të kornizës së bisedimeve pasi që disa shtete anëtare të BE’së kanë pasur kushte shtesë nga ato që janë prezantuar në fillim, Linkevicius është përgjigjur:

“E tash se Kosova luan rol shumë të rëndësishëm në kornizën e bisedimeve. Kjo është më se e vërtetë. Por marrëdhëniet me Kosovën nuk janë kushti i vetëm për Serbinë në procesin e integrimit evropian, edhe nëse ato përbëjnë pjesën kryesore të tyre. Dhe askush nuk duhet t’i injorojë apo nënvlerësojë ato”.

Ndërsa i pyetur rreth kushteve gjermano- britanike për Serbinë, Ministri i Jashtëm i Lituanisë ka thënë: “Nuk do të komentoja dokumentet që nuk kanë karakter zyrtar. Për këto ende është duke u diskutuar në Këshillin Europian”.