Kosova dhe EULEX-i: Një partneritet i munguar

Askush si ne nuk do të duhej të ishte i interesuar që të kemi Sundim të ligjit në shtetin e Kosovës, sepse ndryshe nuk mund të ketë këndellje politike dhe shoqërore të Kosovës.

Opinion

16/06/2016 13:28

Diskutimet e vazhdueshme të autoriteteve të Kosovës me ato të BE-së për formulimet që do të mundësojnë vazhdimin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, edhe për dy vjet  (së paku), duket që kanë reflektuar, në masë të madhe, edhe një disponim mbizotërues, në Prishtinë dhe në Bruksel, që shfaqet në trajtë të mungesës evidente të besimit të ndërsjellë. Autoritetet e Kosovës, të thuash nuk i besojnë fare EULEX-it, dhe anasjelltas: Autoritetet e BE-së nuk besojnë që kosovarët janë vetë në gjendje ta udhëheqin drejtësinë në vend, dhe të vendosin Sundimin e Ligjit.

Gjithçka ishte ndryshe në vitin 2008-të, kur EULEX ateroi në Kosovë, me vonesën prej dhjetë muajsh, (të shkaktuar nga problemet legale në rrafshin ndërkombëtarë). Besimi i ndërsjellë ishte tepër i madh. EULEX vinte në Kosovë me ftesën e instancave më të larta të shtetit të saposhpallur. Prania dhe përkrahja e EULEX-it llogariteshin si të domosdoshme në transformimin e sistemit të drejtësisë, thuaja plotësisht të mbikëqyrur nga Administrata Ndërkombëtare  (UNMIK-u), në një sistem efikas të Kosovës, i cili në këtë fazën nismëtare do ta kishte mbështetjen e evropianëve: të gjykatësve, prokurorëve, policëve, ekspertëve më të mirë që kanë shtetet e BE-së.

Rrëfimi për marrëdhënien e Autoriteteve të Kosovës me EULEX-in, por edhe për atë relacionin e qytetarëve të Kosovës, si me gjyqësinë vendore, poashtu edhe atë ndërkombëtare  (të përfaqësuar nga EULEX), është fare mirë i njohur për të gjithë ne.

Zhgënjimi, mosbesimi, pritjet fare modeste të qytetarëve të rëndomtë të Kosovës, karaktarizojnë mendimin e tyre, për gjyqësinë vendore dhe për atë ndërkombëtare.

EULEX nuk arriti të përmbushë detyrën kryesore të tij, e cila faktikisht, që nga fillimi kishte për krye-emër të vetin përgatitjen e drejtësisë kosovare për të qëndruar në këmbët e veta, ashtuqë pastaj EULEX të sendërtojë Strategjinë e daljes nga Kosova.

S’do mend që edhe ne kemi hise të madhe në mos-përmbushjen e këtij synimi themelor të EULEX-it, i cili realisht, do të duhej të ishte, mbi të gjitha, qëllim dhe detyrë e vet Autoriteteve të Kosovës. Askush si ne nuk do të duhej të ishte i interesuar që të kemi Sundim të ligjit në shtetin e Kosovës, sepse ndryshe nuk mund të ketë këndellje politike dhe shoqërore të Kosovës, pa të cilën nuk ka gjasa të ecet para në proceset e integrimit të Kosovës në BE, nuk ka mundësi që të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe nuk ka, tek e mbramja, fuqizim të institucioneve të qeverisjes dhe forcim të demokracisë në vend.

Do të mund të zgjatej edhe më shumë shpjegimi i shkaqeve që na sollën ku jemi sot, në pranverën e vitit 2016-të, tetë vjet prej mbërritjes së EULEX-it në Kosovë, dhe me gjasë, shumë vjet të tjera derisa EULEX të largohet nga Kosova.

Nëse provojmë të jemi të sinqertë me veten, në këtë ambientin politik dhe shoqëror kosovar i cili mbi të gjitha shquhet me harxhimin e thuaja gjithë ndershmërisë dhe sinqeritetit politik, do të mund të mbërrijmë tek konkludimi që Kosovës i duhet EULEX-i. Këtu duhet të shtohet që nuk i duhet një EULEX i cili veçmas viteve të mbrama, është diskredituar nga brenda, me afera koruptive dhe me ato që kanë shquar mungesën e funksionimit të mirëfilltë të një strukture evropiane.

Çka do të duhej të ndodhte tash e tutje, në këto relacionet e Kosovës me EULEX-in, është dashtë të ishte orientim kryesor që nga vendosje e këtij Misioni në Kosovë, në vitin 2008. Pra, do të duhej të kishte partneritet dhe bashkëpunim të njëmendtë, në mes të autoriteteve politike dhe gjyqësore të Kosovës dhe atyre të EULEX-it dhe të BE-së.

Ky partneritet ka domethënien që BE dhe EULEX, tash e tutje, duhet të përqëndrohen në afatizimin kohor dhe përcaktimin përmbajtësor të kritereve dhe cilësisë të cilën drejtësia kosovare duhet ta arrijë në vitet në vijim, ashtuqë EULEX të përmbushë mandatin e tij, dhe që të largohet nga Kosova si një mision i suksesshëm evropian.

Njëkohësisht, vetë autoritetet vendore politike dhe ato të drejtësisë, duhet qysh tash të përgatiten për periudhën kur më nuk do të ketë EULEX këndejpari, apo kur vetë ne do të jemi përgjegjës për drejtësinë në Kosovë.

Është fare lehtë të thuhet diçka e tillë, ndërsa në rrethanat e tanishme, duket e pamundur të mbërrihet në këtë stad. Por ne realisht, duhet ta përmbushim këtë detyrë: Për shkak të vetes, në radhë të parë.