Komuna e Mitrovicës merr 12 milionë euro kredi nga Austria

Me 12 milionë euro kredi, sipas të parit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, do të realizohet projekti i “Ndërtimit të kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industriale në disa rrugë të Mitrovicës”, ndërkohë opozita (PDK) vlerëson se komuna nuk mund të marrë kredi, përveç nëse në dy vitet e fundit ka marrë opinion të parezervë (pakualifikuar) nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, si pjesë e auditimeve vjetore ligjore të obliguara

Lajme

30/01/2017 09:16

Komuna e Mitrovicës do ta marrë një kredi prej 12 milionë euro nga Austria për ta realizuar projektin e “Ndërtimit të kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industriale në disa rrugë të Mitrovicës”. Kredia realizohet në dy faza, nga 6 milionë euro, ajo është afatgjate dhe me zero interes, ndërsa do të fillojë të kthehet pas 5 vjetëve.

Propozimi i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për ta marrë kredinë e lejuar nga qeveria e Austrisë do të miratohet në mbledhjen e Kuvendit të Mitrovicës, të martën, shkruan Zëri.

Opozita, në anën tjetër, e ka kundërshtuar këtë propozim, madje ka vlerësuar se kryetari i Mitrovicës e ka futur komunën në borxhe dhe po merr kredi për t’i arritur qëllimet e tij personale, ndërsa ka siguruar se komuna nuk mund të marrë kredi, pasi që në dy vitet e fundit ka marrë opinionin të kualifikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, si pjesë e auditimeve vjetore ligjore të obliguara.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se kredinë për Komunën e Mitrovicës e ka miratuar Qeveria e Austrisë, pasi që siç thotë Bahtiri, “na ka vlerësuar si komunë shumë serioze”.