Komuna do t’i përgjigjet Daut Haradinajt “kur t’i vijë radha”

Deputeti Daut Haradinaj i ka shkruar një letër dje Shpend Ahmetit, duke e pyetur për emrin e pronarit të vërtetë të objektit “Pandora”. Këtë përgjigje s’do ta kthejë kryetari por Drejtoria e Urbanizmit, bile, pas një kohe, kur asaj letre t’i vijë radha.

Lajme

13/02/2014 14:22

Pronari i ndërtesës me emrin ‘Pandora’ që gjendet në lagjen ‘Dragodan’ nuk dihet kush është dhe nuk do të dihet edhe për një kohë.

Është thënë shumë se pronari i saj është deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Daut Haradinaj, por, në letrën që dje i ka dërguar ky deputet kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, kërkon nga ai sqarime mbi zbardhjen e emrit të vërtetë të këtij objekti, pasi që, ky nuk është.

Në anën tjetër, Komuna e ka pranuar këtë letër, por deri në kthimin e përgjigjes, Haradinajt i duhet të presë si gjithë qytetarët.

Sado që Daut Haradinaj letrën e ka protokoluar në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga AAK, Komuna e Prishtinës ka vendosur ta trajtojë këtë kërkesë si të gjitha kërkesat që vijnë nga qytetarët.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka bërë të ditur për lajmi.net se përgjigja e pyetjes së Haradinajt do të kthehet kur t’i vijë radha.

Kësaj letre të drejtuar kryetarit Shpend Ahmeti, madje s’do t’i përgjigjet ai, por Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ka njoftuar ai.

“Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit do t’ia kthejë përgjigjen personit në fjalë brenda afatit ligjor, si të gjithë qytetarëve që bëjnë kërkesa të tilla”.

Në letër, Daut Haradinaj kishte paralajëmruar Shpend Ahmetin se do të vazhdojë t’i shkruajë derisa të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës.