Kompania e themeluar nga ministri fiton tenderin milionësh nga KOSTT-i

Kompania “Komtel” e themeluar nga ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli para pak kohësh, ka fituar një tender prej 1,5 milionë eurosh nga Operatori i Sistemi, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). 

Lajme

04/08/2014 09:38

Kjo kompani, e cila deri vonë është udhëhequr nga vet Fadil Ismajli, ka fituar edhe tenderë të tjerë, që kapin shumë prej më shumë se 10 milionë eurosh, shkruan Zëri.

Në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), thuhet se fituesi i një tenderi tjetër njëburimor është konsorciumi “ALTOM GRID SAS & KOMTEL” dhe vlera e saktë e kësaj kontrate është 1,564,422.40 euro.

Burimet e gazetës “Zëri” thonë se ministri Ismaji është hetuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për favorizimin e kompanisë të themeluar nga ai, por hetimet e nisura kohë më parë deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.

“Ministri në largim është dyshuar për keqpërdorim të pozitave që ka mbajtur tash e sa vjet me radhë në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe në KOSTT”, shkruan kjo gazetë.

Kompania Komtel, pasi që Ismajli është zgjedhur nëpër detyra zyrtare është bartur tek miku i tij Vegim Gashi, i cili ka qenë edhe kandidatit  për të parin e Prishtinës nga radhët e AKR-së, shkruan Zëri.