Kombëtarja, produkt i bisedimeve Kosovë-Serbi

Halil Matoshi thotë se Kosova e Shqipëria duhet të kenë dy Kombëtare të futbollit, meqë tashmë jemi dy shtete. Ai thotë se bisedimet me Serbinë çuan në krijimin e kësaj Përfaqësuese. Por, Arbër Zaimi nga VV mendon ndryshe.

Lajme

04/03/2014 17:30

Vetëm disa orë kur është larg ndeshja historike midis Përfaqësues së Kosovës dhe Haitit, personalitete të ndryshme po japin vlerësimet e tyre nëse duhet apo jo që kombi shqiptar të ndahet në dy Kombëtare.

Por, po del të jetë më i pranueshëm opsioni që të dyja shtete demokratike, Kosova dhe Shqipëria, të kenë kombëtaret e veta të futbollit.

Kështu mendon edhe publicisti dhe analisti i njohur, Halil Matoshi.

Ai, në emisionin InfoMagazinë të Klan Kosovës, ka thënë se realiteti politik dhe historik është i tillë që ne duhet pasur dy Kombëtare.

“Kemi dy shtete të banuara me shumicë shqiptare, mirëpo, në këtë rast Republika e Shqipërisë është shtet në pronësi të kombit shqiptar, ndërsa Republika e Kosovës është shtet qytetar, në pronësi të qytetarëve të saj, pa e precizuar prejardhjen etnike, për arsye se Kushtetuta e Kosovës i njeh të gjitha komunitetet si shtetas të barabartë”.

“Mendoj se 17 Shkurti 2008, konkretisht Marrëveshja e 19 Prillit, bisedimet me Serbinë, e çuan Kosovën deri në FIFA. Kosova më në fund e ka Kombëtaren e vet. Ne etnikisht vazhdojmë të mbesim shqiptarë, unë këtu nuk shoh kundërvënie midis të qenit shqiptar etnik dhe kosovar. Shteti është ai sot që i ka marrë kompetencat që e përfaqëson kombin me kompetencat e tij”.

“Shqipëria e Kosova dy shtete demokratike mund lirisht të bëjnë asociacionin e lidhjes, por në kushtet e sotshme duhet së pari të zhvillohen të dyja shtetet”, ka deklaruar Matoshi.

Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka cilësuar Kombëtaren e Kosovës si të mërgatës, ngaqë, sipas tij, të gjithë këta lojtarë janë të përgatitur jashtë, për shkak të jocilësisë këtu.

Zaimi ka krahasuar statusin e Kombëtares së Kosovës me statusin e Katalonisë, e cila, thotë ai, edhe pse luajti rreth 1 shekull rresht dhe me përfaqësuese të njohura, nuk u njoh si Kombëtare asnjëherë.

“Fakti që sot po krijohet një Kombëtare e Kosovës jo vetëm që sulmon sloganin ‘Jemi Një’, jo vetëm që sulmon qasjen midis Shqipërisë dhe Kosovës, por sulmon edhe Kosovën brenda për brenda.”

“Edhe shqiptarët brenda për brenda Kosovës i ndanë. Si i ndanë? Pesë prej tifozërive më të mëdha të paktën që di unë, janë nisur për në Shqipëri janë tifozët e Prishtinës, tifozët e Pejës, tifozët e Prizrenit, Gjakovës dhe Vushtrrisë. Të tjerat kam informacione që nisen nesër”.

“Kosovarët brenda në Kosovë janë ndarë në dy pjesë. A është e nevojshme kjo ndarje identitare kur është në fakt i mundur bashkimi. Këtu nuk po flasim për bashkim një komb një qëndrim këtu flasim për bashkimin si institucion”, ka deklaruar Arbër Zaimi në InfoMagazinë të Klan Kosovës.