Kolonizimi i pjesës veriore, Serbia financon ndërtimin e 300 shtëpive (Video)

Beogradi do të financojë ndërtimin e 200-300 shtëpive në një hapësirë që ndodhet ndërmjet Zveçanit dhe Mitrovicës e që ka 24.5 hektarë. Lagja do të mbajë emrin “Suncana Dolina” (Lugina e Diellit), ndërkohë që në shtëpitë që pritet të ndërtohen mund të vendosen 900 -1200 banorë.

Lajme

02/10/2015 18:21

Objektet do të kenë elemente të “arkitekturës tradicionale popullore”. Po ashtu, brenda kompleksit, pritet të ndërtohet edhe një kishë.

Gazeta Express ka siguruar një projekt – koncept të lagjes së re që pritet të ndërtohet në pjesën veriore respektivisht ndërmjet Mitrovicës dhe Zveçanit. Bëhet fjalë për një hapësirë prej 24.5 hektarësh, ku pritet të ndërtohen 200-300 shtëpi.

“Lagja e re banimit me funksionet përcjellëse ndodhet në hapësirën ndërmjet Mitrovicës dhe Zveçanit. Lokacioni i gjerë mbulon një hapësirë prej 24.5 hektarësh ndërsa lagja shtrihet në një hapësirë prej 14.7 hektarësh” shkruan në projekt.

Plani parasheh vendosjen e 900 deri 1200 banorëve, ndërkohë që sipërfaqja e objekteve parashihet të jetë 16 mijë deri në 20 mijë metra katrorë.

Po ashtu aty parashihet të ketë një çerdhe për fëmijë, objekt për aktivitete shoqërore, një qendër tregtare, ambulantë dhe qendër sportive ku përfshihet një fushë tenisi si dhe një kishë.