Kërkohet që të ndalet shantazhi dhe presioni ndaj deputetëve

Një grup i qytetarëve në mesin e të cilëve edhe disa nga figurat që merren me zhvillimet në vend, ka regjur lidhur me situatën e krijuar politike, e në veçanti me presionin ndaj deputetëve për të ndryshuar qëndrimin politik.

Lajme

15/08/2017 11:08

Sipas tyre  një praktikë e tillë është shkelje e standardëve të demokracisë parlamentare.

Ata vlerësojnë se presionet me metodat e shantazhimit përbëjnë vepër penale.

Komunikata e plotë dhe lista e qytetarëve të nënshkruar:

Shprehim indinjatën tonë me presionin që po u bëhet deputetëve për ta ndryshuar qëndrimin politik lidhur me formimin e institucioneve.

Mendojmë që kjo praktikë është shkelje e standardeve të demokracisë parlamentare. Kjo mund të shndërrohet në një premisë të dëmshme dhe të rrezikshme në tërë procesin e ndërtimit të shoqërisë së lirë dhe demokratike.

Presionet e çdo lloji cenojnë vullnetin e qytetarëve të dhënë në ditën e zgjedhjeve. Presionet dhe cenimi me metodën e shantazhimit ka elemente të veprës penale; të cenimit të së drejtës së votimit dhe presionit në ushtrimin e detyrës zyrtare.

U bëjmë thirrje deputetëve që mund të jenë subjekte presioni, t’i denoncojnë publikisht edhe në organin e akuzës. Shantazhet e zhvleftësojnë rendin demokratik të Republikës.

Vlerësojmë që liria e deputetit për të votuar nuk guxon të cenohet e të shantazhohet në asnjë rrethanë.

Prokurorisë gjithashtu i bëjmë thirrje të qëndrojë syhapur ndaj dukurive të cilat rrezikojnë seriozisht tërë procesin kushtetues të ndërtimit të shtetit dhe përfaqësimit të vullnetit të lirë të qytetarëve. Ne jemi absolutisht kundër çdo presioni ndaj të zgjedhurve të popullit.

Ne përkrahim dhe mbrojmë integritetin e deputetëve që në Kuvend të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë duke respektuar votën e çdo qytetari në zgjedhjet e 11 qershorit.

Nje grup i qytetarëve

15 gusht 2017

Prishtinë

Visare Gorani

Florina Duli

Imer Mushkolaj

Luljeta Aliu

Yll Rugova

Seb Bytyci

Krenar Shala

Besnik Pula

Eliza Hoxha

Ilir Bajri

Asdren Rrahmani

Jetlir Buja

Fahri Musliu

Skender Boshnjaku

Ilaz Bylykbashi

Samir Potera