Kërkohen investues shqiptarë në New York

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës të prirë nga ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, kanë prezantuar në New York, para afaristëve shqiptaro-amerikanë, mundësitë investuese në Kosovë si dhe kanë promovuar krijimin e një rrjetëzimi të bizneseve.

Lajme

22/12/2013 10:38

Ministri i Diasporës në Kosovë, Ibrahim Makolli, ka shfaqur Kosovën përballë afaristëve shqiptaro-amerikanë si një vend të mirë për të investuar.

Makolli ka folur për reformat ligjore, lehtësitë dhe mundësit e të bërit biznes në Kosovë, duke e quajtur diasporën një nga asetet më të rëndësishme të ekonomisë dhe të industrializmit të Kosovës.

“Diaspora sjellë jo vetëm paratë, por edhe përvojën më të mirë të biznesit të fituar në mërgim”, tha ai.

Zyrtarë tjerë folën edhe për mundësinë konkrete të investimit në secilën komunë veç e veç. Investimit përmes partneritetit privato-publik si dhe krijimin e zonave të lira ekonomike që do të jenë shumë dashamirëse ndaj investimeve dhe bizneseve të reja.

Ky forum njëditor u përmbyll me zgjedhjen e bordit prej 11 vetash, afaristë shqiptaro-amerikanë, si një bërthamë e rrjetëzimit në metropolin Amerikan.