KEDS në Prishtinë do të vendos qindra trafo dhe qindra kilometra rrjet të ri

​Në kuadër të investimeve anë e kënd vendit, KEDS nuk ka lënë anash as komunën e Prishtinës dhe rajonin e saj, edhe pse gjendja në këtë komunë ka qenë pak më e mirë sesa në zona të tjera. Kjo kompani distribuive për energji ka planifikuara me planin zhvillimor që deri në vitin 2025, të vendosë qindra transformatorë të rinj dhe qindra kilometra rrjet të ri të pranueshëm me standarde të lejuara.

Lajme

29/05/2016 11:04

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala për KosovaPress thotë se KEDS ka investuar në “Prishtina 7”, ku janë funksionalizuar daljet që furnizojnë me energji eklektike Prishtinën, përkatësisht pjesën e Veternikut. Sipas tij, është nënstacioni më i ri në Prishtinë, i cili gjendet në pjesën jug-lindore të kryeqytetit. Ai thotë se edhe QKUK, qyteza Pejton dhe Kodra e Trimave nuk kanë mbetur anash nga investimet e KEDS.

“Zona e parë ku KEDS ka investuar është “Prishtina 7”, ku janë funksionalizuar daljet që furnizojnë me energji eklektike Prishtinën e re, përkatësisht pjesën e Veternikut….dhe KEDS i ka paraprijë kësaj duke aktivizuar daljet nga nën stacioni Prishtina 7 dhe sigurisht që as spitali nuk është lënë anash, ka pasur dy dalje tash i ka tri, pra, ka një dalje rezervë. Kemi bërë përmirësime të mëdha edhe në qytezën Pejton, ku ka pasur rënie të tensionit, kemi investuar edhe në periferi të Prishtinës, përkatësisht pjesën veriore të saj, ku gjendja nuk ka qenë aspak e mirë. Tani janë bërë disa investime, ku janë vendosur disa trafo, është rinuar rrjeti dhe gjendja është përmirësuar”, tha zëdhënësi Buzhala.

Sipas Buzhalës, këto investime janë linja të veçanta të cilat shkojnë në dhjetëra degëzime, ku secila nga to mund të furnizojë nga 500 deri 1 mijë konsumatorë. Ai tha këto investime ndikojnë për dhjetëra mijëra konsumatorë.

Investimet e KEDS i paraprijnë pjesës ku po zgjerohet qyteti, ku janë investuar dhe sanuar problemet me rënie të tensionit, ngase ka pasur probleme bukur të mëdha me nivelet e tensionit dhe ai problem me funksionalizimin e daljeve në “Prishtinën 7” është sanuar. Ai shtoi se mijëra qytetarë dhe biznese veçse do ta kenë rrjetin e gatshëm kur të ven dosin që t’i ndërtojnë vendbanimet e tyre.

Buzhala ka folur edhe për disa investime me rrjet të ri në disa zona të pjesës veriore të qytetit, përkatësisht ku përfshihet një pjesë e Kodrës së Trimave dhe rruga për Llukarë.

Kurse, sa i p[ërket qyteteve tjera, Buzhala tha se është ndërtuar një largpërçues komplet i ri nëntokësor edhe në Komoran, përkatësisht në pjesën e Drenasit. Ai theksoi se nuk flitet vetëm për qytet, mirëpo komplet si rajon i Prishtinës. Sipas tij, është punuar fuqishëm edhe në Miloshevë dhe në Mazgitë.

KEDS ka paraparë që për dhjetë vitet e ardhshme në bazë të planit zhvillimor për investime të përfshihet edhe kryeqyteti me investime në rrjet.

“Sigurisht që edhe në Prishtinë deri në vitin 2025 do të vendosen qindra trafo dhe qindra kilometra rrjet të ri, të cilat do të bëjnë zgjerimin e rrjetit dhe përforcimin e rrjetit që nënkupton shërbime kualitative dhe më të sigurta çka është edhe më e rëndësishme. Janë të identifikuara të gjitha lokalitetet me rënie të tensionit dhe deri në vitin 2025 të gjitha zonat e tensionit të mesëm do të eliminohen”, tha Buzhala.

 

Kurse sa i përket bashkëpunimit me komunën e Prishtinës, Buzhala tha se nuk kanë telashe dhe probleme dhe se janë vazhdimisht në kontakte me takime të vazhdueshme, duke e përfshirë edhe kryetarin e kësaj komune, Shpend Ahmetin. Ai tha se kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe gjejmë gjuhë të përbashkët për secilin projekt, për secilën iniciativë dhe për secilin investim.

Buzhala theksoi se edhe gjatë prezantimit të Planit Strategjik të KEDS, kanë qenë pjesëmarrës edhe kryetarë të komunave. Ndaj, një bashkëpunim që nuk ka nisur vetëm me hartimin e këtij plani, mirëpo ka pasur bashkëpunim që ka nisur prej fill imit të KEDS me operime dhe do të vazhdojë edhe në periudha të ardhshme. Buzhala tha se janë të përkushtuar që të bashkëpunojnë dhe të kenë bashkëveprimi me secilin akter në vend.

Mirëpo, zyrtarë komunalë të Prishtinës, edhe pse ishin të kontaktuar nga KosovaPress me anë të postës elektronike dhe me telefon për tri ditë rresht, ata nuk gjeten kohë të prononcohen për investimet e bëra dhe që pritet të bëhen nga KEDS në këtë komunë./kp