‘Katastrophen’ – Lajmi.net
‘Katastrophen’
Autori: Blerim Shala Opinion 9:38, 1 October 2018
Maqedonia mbramë e humbi busollën politike, të cilën po e kërkon tash e sa kohë, vetë BE-ja. Duket që kështu të gjithë ne, në këto anë të Evropës, si dhe vetë BE-ja, do të udhëtojmë kështu pa plan dhe pa hartë. 

Rëndom, rrëfimet anekdotike janë të vërteta. Ky është rasti edhe me këtë vijuesin.

Megjithëse një biznismen shqiptar kishte bërë vite të tëra të qëndrimit në Gjermani, kishte mësuar fare pak fjalë gjermanisht.

Por, kjo mjaftonte që alarmin kur diçka nuk shkonte në rregull me fluturimet e kompanisë së tij drejt Kosovës, (kur ato anuloheshin apo shtyheshin), do të ia thoshte ai vet, pra biznismeni, partnerit të tij gjerman, zakonisht në një bisedë telefonike që zgjatte pak sekonda. Ai pra, në prani të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, në rastet kur diçka shkonte mbrapsht me fluturimet kah Kosova  (apo prej Kosovës), i drejtohej në këtë mënyrë partnerit të tij: ‘Herr Schmitt, katasprohen’!

Ky ishte ‘kodi’ i alarmit të madh, i cili pastaj aktivizonte të gjithë mekanizmat e duhur  (nga ana e Herr Schmittit), që të tejkalohej një problem biznesor.

Ai më pas bisedonte me ndihmësit e biznismenit shqiptar, për të marrë vesh se për çka bëhet fjalë në të vërtetë.

Në mëngjesin e kësaj të hëne të parë të tetorit, pas rezultateve të pjesëmarrjes së qytetarëve të Maqedonisë në Referendumin e mbajtur të dielen, me 30 shtator, për ndryshimin e emrit të Maqedonisë  (në ‘Maqedonia Veriore’), i cili ishte kusht që ky shtet të bëhej gati për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike  (në verën e vitit 2019) dhe më pas, edhe në BE, rendi është që dikush prej zyrtarëve më të lartë të Maqedonisë, t’i thërret në telefon Federica Mogherinin dhe Johannes Hahnit, me kumtim e vetëm: ‘Madam Mogherini, Herr Hahn, katastrophen’.

Dalja prej vetëm 36% të qytetarëve të Maqedonisë në këtë Referendum, nuk ka si të vlerësohet ndryshe, pos si një dështim i madh, që gjithsesi do të ketë pasoja për perspektivën euro-atlantike të këtij shteti.

Që prej atij mobilizimit të madh ndërkombëtarë në vitet para se të bëhej Kosova shtet, me synim që të zgjidhet çështja e Kosovës, nuk mbahet në mend që aq shumë zyrtarë, politikanë dhe diplomatë perëndimorë, të SHBA-së, BE-së, shteteve më të mëdha evropiane, i kanë dhënë përkrahje kaq të madhe një kauze, duke vizituar Shkupin dhe duke dhënë deklarata absolutisht të qarta në favor të këtij Referendumi, siç ka qenë në javët e fundit.

Për këtë shkak, kjo ‘katastrophen’ e Maqedonisë, nuk ka si të mos kualifikohet edhe si dështim i madh i Perëndimit, i cili, nuk humbi këtu betejën politike dhe diplomatike me Rusinë  (siç u shprehën shumë analistë të dielen në mbrëmje), por me vetëveten.

Vala e madhe e popullizmit, si rrymë kryesore politike që sot mbizotëron thuaja kudo në Perëndim, që tashmë ka marrë tagrin e vet të madh në humbjen e orientimit themelor politik dhe në mëdyshjen e identitetit primar të Amerikës dhe Evropës, ka bërë që Brukseli realisht, nuk ka ofertë të mirëfilltë politike për Ballkanin Perëndimor.

Me atë parimin e njohur të Presidentit Trump, ‘America first’  (‘Së pari Amerika’), edhe në kryeqendrat më të mëdha evropiane, duket që i gjithë debati i brendshëm në instancat më të larta politike niset dhe soset me ardhmëninë e paqartë, të panjohur të BE-së, ndërsa preokupimi me gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor është shndërruar në një kombinim të protokollit dhe porosive burokratike, afati i të të cilave ka skaduar qëmoti.

BE-ja dështoi një herë, me të gjithat, në vitet e nëntëdhjeta, të luftës tragjike në hapësirat e ish-Jugosllavisë, dhe atëherë disi shpëtoi me fytyrë, falë SHBA-së dhe Paktit NATO.

Por atëbotë së paku, BE-ja ishte tej mase atraktive, si organizim, si politikë, si shtëpi e përbashkët evropiane, për të gjitha shtetet e sapokrijuara mbi gërmadhat e ish-RSFJ-së.

Tani, në fundvitet e decenies së dytë të këtij shekulli, BE-ja ka arritë nivelin më të ulët të të qenit joshës për këto gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë mbetur disi shtete jetime të Evropës, pa një shpresë reale që ta zëmë, pas dhjetë viteve, më së shumti, do të përfshihen në BE, nëse do të ketë më Bashkim Evropian të cilin sot e njohim.

Në anën tjetër, efektet e popullizmit në Maqedoni, i cili ka sunduar me këtë shtet për një decenie me radhë  (në Qeveritë e mëparme), u vërejtën në mënyrën më të keqe të mundshme pikërisht këtë të diele, me refuzimin masiv të qytetarëve të këtij shteti për të vendosur për fatin e vet, sepse në ndërkohë, ata, në masën e madhe, rrezikshëm të madhe, kanë humbur aftësinë për ta bërë veçimin në mes të mirës dhe të keqes në politikë.

Popullizmi krijon dhe instalon një Botë paralele politike, ku nuk vlejnë rregullat e një politike normale. Popullizmi zëvëndëson realitetin me një imagjinatë, me një ëndërr. Që në fund del që ka qenë makth.

Poashtu, në rastin e emrit të Maqedonisë, shihet fare qartë që ka lënë gjurmë të thella fakti që ky problem  (i emrit të këtij shteti), është lënë të vegjetojë, i pazgjidhur, për 27 vjet rresht. Problemet e këtilla që lëshojnë rrënjë të thella në politikën e një shteti, që objektivisht akomodohen në një politikë, siç u pa edhe këtë të diele në shtetin fqinj, shumë vështirë tejkalohen.

Pasojat e kësaj ‘katastrophen’ në Referendumin e Maqedonisë, aktualisht shfaqen me dhjetëra pyetje në të cilat askush, as në Shkup dhe as në Bruksel, nuk di të përgjigjet.

Çfarë është e qartë sidoqoftë është që Maqedonia mbramë e humbi busollën politike, të cilën po e kërkon për vete tash e sa kohë, vetë BE-ja.

Duket që kështu të gjithë ne, në këto anë të Evropës, si dhe vetë BE-ja, do të udhëtojmë kështu pa plan dhe pa hartë.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO