Jahjaga uron Festën e Krishtlindjeve

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e Festës së Krishtlindjes, ka përgëzuar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, si dhe të gjithë besimtarët e krishterë.

Lajme

24/12/2014 14:12

Në urimin e Jahjagës thuhet se këto festa Kosovën e gjejnë me arritje të mëdha me përkushtimin për rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë pa dallim etnie e besimi.

Urimi i plot i Presidentes Jahjaga:

I nderuar Ipeshkëv, të nderuar besimtarë,

Me rastin e ditës së Krishtlindjes, që simbolizon vlerat më të larta të solidaritetit, harmonisë, dashurisë dhe paqes ndërmjet njerëzve, ju shpreh urimet e mia Juve dhe gjithë besimtarëve të krishterë.

Këtë festë le ta kalojmë me gëzim e harmoni në familjet tona, me të mirat që na i ka dhuruar Zoti.

Krishtlindjet sot e gjejnë vendin tonë, Republikën e Kosovës, me një numër të madh arritjesh në të gjitha fushat, me përkushtimin për rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë pa dallim etnie e besimi, për zhvillim ekonomik të vendit dhe me synime të qarta për integrime euroatlantike.

Në këtë rrugë kemi plot sfida e vështirësi. T’i kalojmë ato së bashku, me synimin për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në këtë ditë, le të kujtohemi për të gjithë njerëzit rreth nesh që kanë nevojë për ndihmën dhe solidaritetin tonë. Të ndajmë me ta momentet e festës, t’ua bëjmë atyre kremten dhe jetën më të lehtë e më të mirë.

Po kështu, le të përkujtojmë ata që nuk janë më në mesin tonë. Ata kanë dhënë shumë e kanë bërë shumë për ne dhe për shtetin.

Në ditën e Krishtlindjes, uroj të gjithë udhëheqësit dhe pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare në vendin tonë, ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë, të cilët do të festojnë këtë ditë të shënuar në vendin tonë.

Ju shpreh të gjithëve urimet e mia më të mira me rastin e Krishtlindjes. Lutem që në këtë ditë dhe gjithmonë, në familjet tuaja të ketë paqe, begati e harmoni.

Me respekt,

Atifete Jahjaga

Presidente e Republikës së Kosovës