Jahjaga: Për koalicionin PDK-LDK, kisha mbështetjen e qeverisë amerikane

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se në ndërmjetësimin e marrëveshjes së koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së, jo vetëm që e kishte mbështetjen e ambasadores amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, por edhe të gjithë administratës amerikane. 

Lajme

27/12/2014 20:53

Presidentja në një intervistë në RTK, ka folur për marrëveshjen e koalicionit qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së të arritur në zyrën e saj, ku prezentë përveç saj dhe liderëve politik, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ishte edhe ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobson. 

Jahjaga ka thënë se, Jacobson, ishte e ftuara e saj, dhe ajo nuk kishte ndërhyrë në këtë marrëveshje, por nuk e ka mohuar ndihmën e saj. 

Duke folur për ngërçin politik gjashtëmujor, Jahjaga ka thënë se nuk ka vërejtur vullnet te asnjëri nga liderët politik në vend, për të lënë anash interesin e tyre personal, në interes të qytetarëve të Kosovës. 

Presidentja është akuzuar vazhdimisht nga partitë opozitare, se gjatë kohës së ngërçit i ka mbajtur anë PDK-së, por ajo e ka mohuar këtë, duke thënë se për muaj të tërë ka provuar të hapë dialogun mes forcave politike, por kjo nuk ka ndodhur. “Krejt këtë e kam bërë jo në bazë të parimeve të mia, por sipas parimeve kushtetuese”. 

Ndërsa, për postin e presidentit, i cili me marrëveshjen PDK-LDK, i takon Hashim Thaçit, Jahjaga ka thënë se, marrëveshja që është arritur në zyrën e saj, ka qenë marrëveshje në parim, ku nuk janë përmendur emra e poste.

E për mandatin e Presidentit, Jahjaga ka thënë se ai është mandat kushtetues pesëvjeçar, dhe ai përfundon në prill të vitit 2016. 

Kur ka folur për pjesëmarrjen e të rinjve të Kosovës në luftën e ISIS, Jahjaga ka thënë se, fatkeqësisht edhe Kosova është prekur nga fenomeni global i bashkimit të qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak, por Kosova edhe në angazhimin e saj kundër kësaj lufte nuk është vetëm.

“Në si shtet jemi rreshtuar përkrah aleatëve tanë në luftimin e kësaj dukurie. Ky fenomen po i dëmton vlerat tona të cilat i kemi trashëguar prej vitesh, siç është toleranca fetare”. 

Për dialogun me Serbinë, presidentja e vendit ka thënë se, ai duhet të vazhdojë në formatin e njëjtë, por ka shprehur zhgënjimin se deri tani marrëveshjen nuk janë implementuar në nivel të duhur, dhe për këtë ka fajësuar Serbinë. (lajmi.net)