Jabllanoviqi, mbeturinë e Millosheviqit, thotë J. Krasniqi

Deputeti i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi thotë se është shumë njerëzore dhe normale që shqiptarët të jenë solidarë me viktimat e sulmit terrorist në Paris.

Lajme

08/01/2015 21:55

Përmes një shkrimi postuar në Facebook, Krasniqi thotë se është e dhimbshme që në Kosovë ka ende “mbeturina të Millosheviqit”, duke iu referuar ministrit Aleksandar Jabllanoviq, i cili me deklarat e tij ka “fyer nënat gjakovare”.

Sipas Krasniqit, për rastin e Jabllanoviqit nuk duhet të heshtë kryeministri i vendit, Isa Mustafa, dhe nëse Jabllanoviqi nuk tërhiqet nga deklarata, atëherë Mustafa duhet ta lirojë atë nga përgjegjësitë qeveritare.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të Jakup Krasniqit:

Duke e parë atë që po ndodh rreth nesh që sa vite, nuk ka dilema, një pjesë e njerëzve të Botës sonë janë dehumanizuar. Ndërsa bota e jonë ka nevojë për ngritje të humanizmit e të solidaritetit. Është shumë njerëzore, që pas një sulmi terrorist mbi një medie franceze, bota është solidarizuar me viktimat e fjalës së lirë. Është shumë e natyrshme që edhe shqiptarët janë solidar me Francën dhe francezet, pasi edhe ata ishin solidar me ne, me popullin tonë kur regjimi i Millosheviqit ushtronte gjenocid mbi popullin shqiptar të Kosovës. Ne, nuk do ta harrojmë kurrë solidaritetin e botës demokratike me mbështetjen që na dhanë për lirinë e demokracinë tonë!

Është tepër e dhimbshme që në Kosovën e lirë, të pavarur e sovrane, në institucionet e saja ka mbeturina të Millosheviqit, të cilat pa fije turpi, bëjnë krimin e ri mbi viktimat e politikës serbe të gjenocidit. Askush e më askush i veshur me petkun e qeveritarit të Republikës së Kosovës, nuk e ka të drejtën t’i fyej nënat gjakovare, ato nëna që edhe 15 vjet pas luftës nuk i din ku i kanë më të dashurit e tyre. Para këtij akti barbarë verbal, nuk duhet të hesht Kryeministri i Kosovës e as zyrtarët e lartë te Kosovës. Pse ata po heshtin?! Ata nuk duhet ti “shtien veshët në lesh”, sikur rreth tyre nuk po ndodh asgjë.

Nëse Jabllanoviqi, nuk e tërheq fjalën e tij fyese nda nënave tona, atë duhet ta bëjë Kryeministri, duke u tërhequr nga përgjegjësia që nuk mund ta kryej me përgjegjësi! Nëse Kryeministri heshtë, atëherë është e qartë se Qeveria e Kosovës ka më shumë Kryeministra?!

Te gjithë njerëzit e veshur me përgjegjësi institucionale, fjala e tyre duhet te matet shumë herë, se ata kanë marrë përgjegjësi me ju shërbyer qytetarëve, jo m’i fyer ata! Cilido qeveritarë që i fyen qytetarët, ai apo ata nuk guxojnë te mbesin pjesë e institucioneve që paguhen nga paratë publike.

Nëse këta njerëz nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë, atëherë qytetarët duhet t’i vetëdijsojnë duke ua treguar se ku e kanë vendin!