ISIS-i shkatërron “haramin” (Foto)

Xhihadistët e “Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë” (ISIS) kanë organizuar shkatërrim publik të alkoolit dhe duhanit në Tikrit të Irakut, pasi sipas tyre këto produkte janë “haram” dhe nuk duhet përdorur nga myslimanët.

Bota

05/12/2014 13:05

Militantët e ISIS-it këtë organizim e kanë bërë pasi kanë ftuar njerëzit që të dorëzojnë në pikat e caktuara të gjithë sasinë e duhanit dhe të alkoolit, duke i kërcënuar nën parullën “Pendohu ose Vdis”.

Sheriatit, që përmbledh dispozitat fetare islame se si duhet të veprojnë e jetojnë myslimanët, këto produkte i vlerëson si “haram” dhe nuk duhet përdorur, prandaj shkatërrimi i tyre sipas ISIS-it, që ka pushtuar tashmë prej muajsh një pjesë të mirë të Irakut dhe Sirisë, është obligim ndaj Allahut (Zotit).

Sipas portalit të gazetës londineze “Daily Mail”, radikalët, kanë lëshuar pamje në profilet e tyre nëpër rrjetet sociale, ku shihen duke u djegur mijëra pako të cigareve të ndryshme dhe duke thyer shishe të alkoolit, Whisky, Vodka e të tjera në afërsi të Tikritit, që ndodhet jo shumë larg Bagdadit.

Një shkatërrim i këtillë i këtyre produkteve muaj më parë ishte organizuar edhe në qytetin sirian Raqqa, që konsiderohet si qendër e grupit terrorist që pas vrasjes së mbi dhjetë mijë sirianëve dhe irakianëve, shpalli në muajin korrik kalifatin e tij me emrin “Shteti Islamik”.       

“Çdo person që pi duhan ose alkool duhet të jetë i vetëdijshëm se kërkon të bie në një gjendje kllapie dhe kotësisë për të mos iu bindur Allahut”, vlerëson ISIS-i, duke theksuar se prej kohës që Mosuli është nën udhëheqjen e tyre, “në qytet nuk ka drogë, nuk ka alkool dhe asnjë cigare”.