Isa Mustafa: Afera e djalit më dëmtoi!

Isa Mustafa thotë se skandali i djalit të tij gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale, ka ndikuar keq në garën e tij për Prishtinën. Ai thotë se është kundër vendeve të rezervuara dhe nëse vjen për votim një gjë e tillë në Kuvend, LDK do votojë kundër.

Lajme

04/04/2014 07:13

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mendon se video ku paraqitej djali i tij duke i premtuar një të riu tender e vend pune, është i kontrabanduar.

Në një intervistë dhënë për të përditshme “Zëri”, Mustafa thotë se ky skandal e ka dëmtuar në garën e tij për të parin e Prishtinës. Ai thotë se hetimet janë duke e zhvilluar dhe se “herët apo vonë drejtësia do të dalë në pah”.

“Unë mendoj se më ka dëmtuar dhe besoj se ajo duhet të sqarohet, sepse ajo që është thënë aty nuk ekziston. Në asnjë rast djali im nuk ka premtuar tenderë, as nuk ka premtuar se do të punësojë dikë, as që të japë para. E gjithë ajo që ka qenë aty, ka qenë një bisede, ku është folur për atë se hajde unë mund të të lidh me kryetarin e Forumit Rinor të LDK-së, pastaj mund të bashkëpunosh me ta. Por aty janë kontrabanduar skenat.”

“Skandali ka ndikuar keq dhe është shfrytëzuar me qëllim nga disa media, nuk po them se nga cilat por presim që drejtësia të dalë në pah, herët apo vonë”.

“Po sigurisht që janë zhvilluar për përfundimet duhet të flasin ata. Është mirë që rasti të përmbyllet”.

Isa Mustafa nuk ka pranuar që të komentojë 100 ditshin e Shpend Ahmetit në krye të Prishtinës. Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij ai është munduar që të respektojë ligjin dhe të mos veprojë jashtë tij.

“Nuk kisha dashur të flas për këtë çështje sepse nuk dua të dukem subjektiv”.

“Unë mund të them se në mënyrë të ndërgjegjshme jam munduar të punoj, ta zbatoj ligjin maksimalisht dhe në asnjë rast të mos veprojë jashtë kuadrit ligjor”.

I pyetur se a ka gjasa që Kushtetuesja të marr një vendim, njësoj si për ndryshimet për FAK-ut, që të vazhdohet edhe për një mandat me vendet e rezervuara, Mustafa ka thënë se ka gjasa, por se në votim LDK-ja do të jetë kundër.

Ai thotë se ka biseduar me diplomatët e huaj dhe ja ka shprehur qëndrimin kundër të LDK-së, sepse sipas tij, nëse vazhdohen edhe për një mandat vendet e rezervuara, do të krijohej një Ahtisari Plus.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa mendon se edhe pa vazhdimin e vendeve të rezervuara, minoritetet do të marrin pjesë në zgjedhje.

“Mundësia ekziston që të tentohet, por jam shumë i bindur që do të ketë probleme në votim. Unë e di që deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë, as ata të Vetëvendosjes”.

“Diplomatët e huaj kanë thënë se mendimi i qeverive të tyre është që edhe një mandat të vazhdohet për vendet e rezervuara. Ne kemi thënë se ato vende janë konsumuar më Kushtetutë dhe Planin e Ahtisarit dhe se çdo hap më tej do të sillte Ahtisari Plus”.

“Mendoj se minoritetet do të marrin pjesë në zgjedhje. Ka pasur disa kërcënime, mirëpo unë mendoj që do të marrin pjesë, sepse ne jemi treguar korrektë me ta”, tha Isa Mustafa për “Zëri”.