IPKO në vitin 2014, rritje në të gjithë sektorët

Kompania IPKO ka prezantuar rezultatet financiare për tremujorin e fundit të vitit 2014, të cilat reflektojnë rritjen e shënuar në të gjithë sektorë e saj.

Lajme

31/03/2015 19:58

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në tremujorin e katërt të 2014 kompania ka marrë 2.5 për qind më shumë pjesëmarrje në tregun e telefonisë mobile, për ta arritur totalin prej 36.2 për qind të tregut të telefonisë mobile, 13.6 për qind rritje të tregut të internetit, ndërsa ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të tregut në televizionin kabllor digjital.

Deri në fund të 2014, IPKO ka gjeneruar 69.5 milionë euro të ardhura, 43.4 milionë euro në shpenzime, EBITDA prej 26.1 milionë euro, EBIT prej 7.1 milionë euro dhe investime kapitale vjetore prej 13.9 milionë euro. Investimet e përgjithshme kapitale të kompanisë në ekonominë e Kosovës që nga viti 2007 e deri më sot kanë arritur në 267.7 milionë euro.

Këtë bilanc e ka bërë të ditur drejtori gjeneral i IPKO-së, Robert Erzin.

“Viti 2014 ka qenë vazhdimësi e rritjes së kompanisë sa i përket numrit të përdoruesve, pjesëmarrjeve në treg, produkteve dhe shërbimeve, teknologjive të reja për përdoruesit, dhe kënaqësisë konsumatore dhe lojalitetit të tyre. Përkundër shumë sfidave me të cilat jemi përballur, ne jemi krenarë për të arriturat pozitive në biznes dhe zotohemi për investime të reja në vitin 2015, oferta të reja inovative të kombinuara me performancë të ngritur të biznesit, me fokus primar tek përdoruesit tanë ekzistues dhe ata të rinj”, tha  Erzin. (KosovaPress)