Investitorët e huaj peng të mungesës së zonave ekonomike

Ekspertët e ekonomisë tërheqin vërejtjen se Kosova ka nevojë për krijimin e zonave ekonomike.

Lajme

23/04/2017 08:08

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani thotë për Arbresh.info se zonat ekonomike kanë mbetur vetëm ide në letër, mirëpo siç ka thënë problemet ligjore dhe energjia elektrike janë çështjet kryesore që po paraqesin problem për investitorët.

“Zonat ekonomike edhe ashtu kanë mbetur vetëm ide në letër, asgjë më shumë. Është pak e pa kuptim, që shembull një komunë të ketë privilegje nga zona ekonomike, e një tjetër jo. Zonë e lirë ekonomike duhet të ketë në tërë vendin, por unë nuk e shoh shumë problem zonën e lirë ekonomike për tërheqjen e investimeve të huaja.”

Sipas Limanit, problem vazhdojnë të paraqesin energjia elektrike dhe problemet ligjore, dhe thotë se një biznes kur nis operimin i duhet në rend të parë energjia elektrike.

“Në Kosovë ne kemi probleme ende me energji elektrike. Po ashtu probleme bizneset kanë me lëndë nëpër gjykata që nuk zgjidhen me vite. Shembull, një investitor mund të bllokohet me vite në një pronë, derisa të merr vendim Gjykata nëse ka ndonjë problem me pronën ku është vendosur. Kjo tregon se sa shumë probleme kemi”, shprehet Limani për Arbresh.info.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane ka thënë se Zonat Ekonomike do të kishin ndihmuar edhe më shumë tërheqjen e investitorëve të huaj nëse do të kishin një infrastrukturë të gatshme.

“Zonat ekonomike kishin me ndihmu tërheqjen e investitorëve të huaj për shkak se do t’i kishin ofruar infrastrukturë të gatshme, në të cilën ata nuk kanë nevojë të investojnë më shumë, ndoshta vetëm ndërtimin e objektit por jo edhe në aspektet të tjera siç është ujësjellësi, kanalizimi, kyçja në rrjetin e energjisë elektrike dhe çka është më e rëndësishmja, furnizimi stabil me energji elektrike që brenda Zonave Ekonomike do të duhej të furnizohej kështu si parakusht”, tha Zeka

Ndërsa eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi një pronocim për Arbresh.info ka thënë se mungesa e investimeve të huaja me shumë është rezultat i jostabilitetit politik dhe ekonomik që po mbretëron në vend, si edhe mungesës së ofertës nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Mungesa e investimeve të huaja më shumë është rezultat i jostabilitetit politik dhe ekonomik që po mbretëron në vend, si edhe mungesës së ofertës nga ana e Qeverisë së Kosovës. Pa dyshim se këtu ndikim të mirë do të kishte edhe themelimi i Zonave Ekonomike. T’ju përkujtoj se kanë dështuar shumë projekte që është dashur të sjellin investime, si Brezovica, PTK-ja, Trepça, apo edhe projektet në energjetikë. Prandaj, pa projekte të këtilla, përkatësisht pa një ofertë nga Qeveria e Kosovës nuk mund të pritet rritje e investimeve”, është shprehur Ibrahimi.

Megjithatë, Ibrahimi thotë se krijimi i zonave është me rëndësi të madhe, meqenëse aty mund të krijohen oferta konkrete për bizneset si edhe të aplikohen iniciativa të ndryshme, me të cilat do të stimulohej  biznesi  dhe zhvillimi i tij.

“Praktikat botërore kanë treguar se zhvillimi ekonomik në shumë vende ka nisur pikërisht nga Zonat Ekonomike, ku biznesi ka gjetur një ambient shumë më miqësor për zhvillim. Prandaj, hezitimi i Qeverisë që të shtyjë përpara këtë ide po ndikon negativisht në zhvillim dhe në punësim”, ka përfunduar Ibrahimi./Arbresh.info/