Inspektorët ndërkombëtarë hyjnë në Duma të Sirisë

Inspektorët ndërkombëtarë të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike hynë të martën në qytetin Duma të Sirisë, ku një sulm i dyshuar kimik vrau të paktën 40 persona në fillim të muajit. Shtetet e Bashkuara dhe Franca patën shprehur shqetësim se në Duma mund të jenë bërë falsifikime.

Bota

17/04/2018 23:21

Hetuesit e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike mbërritën në Siri në shtunën, ditën kur Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca qëlluan me raketa objekte të armëve kimike në Siri. Por inspektorët fillimisht nuk ishin lejuar të hynin në Duma, pranë kryeqytetit sirian Damask, në përpjekje për të verifikuar natyrën e sulmit të dyshuar me gaz më 7 prill.

Të martën, pasi kanë kaluar 10 ditë nga sulmet, Ministria e Jashtme e Francës tha se “ka shumë mundësi të jenë zhdukur fakte dhe elementë të rëndësishëm në Dumën, që është tërësisht nën kontrollin e ushtrive ruse dhe siriane.”

I dërguari amerikan në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, Ken Ward, tha dje se ai ishte në dijeni, që përfaqësues të Rusisë e kanë vizituar Dumën dhe ngriti shqetësime për ndërhyrjen e tyre, para se inspektorët e Organizatës të kryejnë misionin e tyre faktmbledhës. Moska e hodhi poshtë këtë akuzë.

Pak pas sulmeve ajrore të së shtunës, Presidenti amerikan Donald Trump tha se “Misioni ishte kryer” dhe falenderoi Francën dhe Britaninë për maturinë dhe aftësinë e tyre ushtarake.