“Ibër-Lepenci” i gatshëm të mbushë Badocin

Kryeshefi i “Ibër-Lepenc”, Hajdar Beqa, thotë se furnizimi dhe mbushja e liqenit të Badocit mund të bëhet përmes kanalit të 'Ibër-Lepencit'. Për t’u realizuar furnizimi me ujë nga liqeni i Ujmanit, ai thotë se duhet të bëhet sanimi i gypit nga ujësjellësi.

Lajme

03/03/2014 08:34

Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër- Lepenc”, Hajdar Beqa, thotë se mbushja e liqenit të Badocit mund të bëhet përmes kanalit të kësaj ndërrmarrje.

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Beqa thotë se kanali prej nga bëhet furnizimi është pastruar, por që duhet bërë sanimi i gypit prej 7 kilometrash e cila është kompetencë e KUR “Prishtina”.

“Furnizimi dhe mbushja e liqenit të Badocit mund të bëhet përmes kanalit të ‘Ibër-Lepencit’. Kjo është mënyra e vetme që mund ta bëjmë mbushjen e liqenit, kurse sa iu përket alternativave të tjera, ato janë kompetencë e Kompanisë së Ujësjellësit Regjional “Prishtina”, e cila e menaxhon liqenin e Badocit”.

“E kemi bërë pastrimin e të gjithë kanalit, mirëpo për t’u realizuar furnizimi me ujë kualitativ nga liqeni i Ujmanit duhet bërë sanimi i gypit prej stacionit pompim në Çagllavicë deri në liqenin e Badocit. Sanimi i këtij gypi me gjatësi prej shtatë kilometrash është kompetencë e KUR “Prishtina”.

Hajdar Beqa thotë se kapacitetet e këtij kanali ndryshojnë. Ai thotë se ky kanal në fillim ofron 22 metra kub për sekond.

“Kapaciteti i kanalit ndryshon, në fillim është 22 metra kub për sekondë”.

“Duke pasur parasysh se gjatë rrugës kanali bën furnizimin e KUR “Mitrovica” dhe furnitorët e tjerë, në Mihaliq bart 6 metër kub, ndërkaq në kanalin dytësor, i cili, përveç ujitjes shërben si kanal alternativ për mbushjen e Badocit deri në Graqank, është 3 metër kub, kurse pjesa e fundit e kanalit, i cili shërben eksluzvisht për mbushjen e liqenit të Badocit, është 1 metër kub”.

“Maksimumi i shfrytëzimit të kanalit është 6 metër kub, edhe pse kapacitetet tona jë shumë herë më të mëdha, por kjo varet nga rritja e kërkesave të furnitorëve”, ka thënë Hajdar Beqa për “Epoka e Re”.