I akuzuari për vrasjen e Hekuran Morinës thotë se viktima ka gjuajtur i pari në drejtim të tij

Bernard Përlazeri, i cili akuzohet për vrasjen e Hekuran Morinës, të enjten, gjatë mbrojtjes së tij, ka thënë se tashmë i ndjeri ka gjuajtur i pari në drejtim të tij dhe se ai vetëm i është përgjigjur sulmit.

Lajme

18/01/2018 16:35

Ai ka thënë se i ndjeri dhe vëllai i tij Fadil Morina, e kanë ndjekur nga pas makinës dhe i kanë bërë pritë duke shtënë disa herë në drejtim të tij, para se ai të gjuante me dy armë në drejtim të tyre dhe të ikte.

Përlazeri ka thënë se krejt rasti ka ndodhur për shkak se i ndjeri dhe vëllai i tij Fadil Morina, kanë refuzuar t’ia kthejnë një borxh prej 70 mijë euro që e kishte marrë babai i tyre i ndjerë.

Ai ka shtuar se pas vdekjes së babait të viktimës, Beg Morina, ka shkuar disa herë në shtëpinë e tyre për të kërkuar borxhin, por sipas tij, ata nuk kanë pranuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Ai ka thënë se për shkak të refuzimit e ka sulmuar me grushte të ndjerin Hekuran Morina dhe se pas një kohe prokuroria ka vendosur që ai të mbajë paraburgim për një sulm të tillë, i cili kishte zgjatur për gjashtë muaj.

I akuzuari po ashtu ka thënë se hetuesit policorë i kanë thënë atij që të pranojë shumën prej 35 mijë euro dhe të mbyllet kjo histori, por se ai nuk ka pranuar duke thënë se i donte të gjitha paratë.

Ai po ashtu ka akuzuar hetuesin policor Besim Rexhepin dhe shefin e policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqin, se i kanë ndihmuar familjes Morina për ta sulmuar atë, ku ka cekur se në ditën kritike e ka parë viktimën duke biseduar me policin Rexhepi para se të ndodhte rasti.

Derisa pritej që prokurori i rastit, Haki Gecaj ta merrte në pyetje të akuzuarin, Gecaj ka propozuar që të thirret për të dëshmuar personi Afrim Morina, të cilin i akuzuari e ka përmendur në një rrethanë gjatë mbrojtjes së tij.

Me këtë rast edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrec Doda ka kërkuar që të ftohet për të dëshmuar vëllai i të akuzuarit, Llesh Përlazeri, për të dëshmuar lidhjen e tij me të ndjerin Beg Morina.

Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtari Artan Sejrani, ka aprovuar kërkesat e prokurorit dhe mbrojtjes, ka ndërprerë shqyrtimin dhe seancën e radhës e ka caktuar për 28 shkurt dhe 1 mars 2018, duke filluar nga ora 10:00.

Prokuroria Speciale, me 11 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bernard Përlazeri, me arsyetimin se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me 7 shtator 2015, rreth orës 20:00, pasi ka përcjellë lëvizjet e të ndjerit Hekuran Morina dhe vëllait të tij Fadil Morina, në lagjen “Bazhdërhane” të Prizrenit, dhe së bashku me nipat e tij të cilët gjenden në arrati, ka qëlluar mbi ta duke vrarë Hekuranin dhe plagosur rëndë Fadilin.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, i akuzuari Bernard Perlazeri ishte arratisur për një kohë dhe gjithashtu ishte suspenduar përkohësisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Nexhmedin Krasniqi./Betimiperdrejtesi/