Hodgson beson në kualifikim

Përkundër humbjes së Anglisë nga Italia, selektori Roy Hodgson beson se ‘Tre Luanët’ do të kualifikohen në fazën eliminuese të Botërorit, duke fituar ndaj Uruguait e Kosta Rikës.

Sport

15/06/2014 11:12

Roy Hodgson nuk e ka pritur aspak mirë humbjen nga Italia, pasi mendon se Anglia meritoi diçka më shumë, përpos humbjes 2:1, të pësuar mbrëmë.

“Është një moment paksa vështirë për t’u pranuar që e humbëm lojën, sepse, posaçërisht në pjesën e dytë, ata kishin disa gjuajtje në portën tonë”, deklaroi fillimisht trajneri anglez, i cili megjithatë beson se ‘Tre Luanët’ mund të kalojnë në fazën eliminuese.

“Ne e dimë se luajtëm ndaj një ekipi të mirë, e dimë se Italia është gjithmonë aty lartë, kështu që ne ishim shumë afër tyre dhe kjo na rrit besimin që të shkojmë përpara dhe të kërkojmë t’i fitojmë ndeshjet ndaj Uruguait e Kosta Rikës, për të shkuar përpara”, vazhdoi ai.

Dueli tjetër do të jetë ai ndaj Uruguait, i cili u shokua nga Kosta Rika, duke humbur 3:1. Hodgson kërkon nga lojtarët e tij të luajnë sikur ndaj Azzurri.

“Ne jemi paksa zemërthyer pasi gjërat nuk shkuan në rrugën e duhur. Ne shpresonim në një fillim perfekt. Tash kam besim të madh se mund të bëjmë mirë në dy ndeshjet e ardhshme, për t’u kualifikuar”, përfundoi ai.