Hiqet “çadra e lirisë” para Kryeministrisë, nis qarkullimi i mjeteve në bulevard

Pas gati tre muajsh para Kryeministrisë është hequr mëngjesin e sotëm "çadra e lirisë" në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Lajme

19/05/2017 08:12

Protestuesit e lanë çadrën mbrëmjen e djeshme, ndërsa ishte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ai që i komunikoi protestuesve se ajo do të hiqej.

Menjëherë pas kësaj protestuesit u larguan për në selinë e PD, dhe në bulevard nisi puna për çmontimin e çadrës.

Mëngjesin e sotëm në bulevard është lejuar edhe qarkullimi i automjeteve.

Opozita ngriti çadrën para godinës së Kryeministrisë, në 18 shkurt 2017, ku kërkonte qeveri teknike përmes së cilës mund të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por pas marrëveshjes së arritur duke u gdhirë e enjte, mes kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama, çadra e ka përmbushur misionin e saj, dhe është hequr nga bulevardi.