Haxhiu thotë se nuk kishte ftesë për të dëshmuar kundër Kurtit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka reaguar pas vendimit që gjyqtarit  Beqir Kalludra për të gjobitur atë më 200 euro, për mos prezencë në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit ndaj Albin Kurtit për hedhje të gazitlotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

21/04/2017 14:58

Haxhiu me anë të një postimi në facebook ka thënë se nuk ka pranuar asnjë ftesë, thirrje apo njoftim nga gjykata për këtë rast.

Madje ai ka shtruar pyetje se pse vetëm ndaj tij dhe Xhavit Halitit e Kadri Veselit është shqiptuar gjoba prej 200 eurove e jo edhe ndaj deputetëve tjerë, të ftuar për të dëshmuar në këtë seancë.

Ja postimi i plotë i tij:

Sot nëpërmjet medieve u njoftova se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj deputetit Albin Kurti dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë më paska shqiptuar masë ndëshkuese prej 200 Euro, në cilësinë e dëshmitarit për mos respektim të ftesës së Gjykatës.

Me përgjegjësi të lartë deklaroj se unë nuk kam pranuar asnjë ftesë, thirrje apo njoftim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin në fjalë. Sepse po ta pranoja një ftesë të tillë, sigurisht se do t’i përgjigjesha ftesës së Gjykatës.

Prandaj, kërkoj nga Gjykata të dëshmoj pranimin e ftesës nga ana ime dhe datën kur unë paskam marrë këtë ftesë për Gjykatë në cilësinë e dëshmitarit, sepse unë asnjëherë nuk kam pranuar një të tillë dhe si rrjedhoj nuk kam pasur si ta di se jam dëshmitarë në rastin e cekur sot nga Gjykata.

Po e shtroj vetëm një pyetje:

Pse Gjykatësi Kolludra ka shqiptuar dënimin prej 200 Euro, ndaj meje, Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë, por jo edhe ndaj deputetëve tjerë që kanë qenë në atë mbledhje të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata duhet të respektoj Ligjin e Procedurës Penale dhe dispozita ligjore për thirrje të dëshmitarëve dhe për neglizhencë të saj, mos të tentoj të bëj balance me vendime gjyqësore, të cila duhet të jenë të drejta, të pa anëshme dhe transparente./ Lajmi.net/